Gruaja e padukshme e Putinit, këshilla për çiftet në krizë
Disa prej këshillave që përmbajnë regjistrimet do të ishin më se të vlefshme edhe për martesën e saj, duke qenë se për më shumë se një vit askush nuk e ka parë të shfaqet përkrah bashkëshortit, duke i lënë gazetat të spekulonin për një tjetër lidhje të Putinit. Por Ludmilla Putin, gruaja e Kryeministrit rus, ka pak kohë që është shfaqur në skenë dhe në ditët e shkuara ka prezantuar një seri regjistrimesh të bëra me një psikolog, i famshëm për të shpëtuar martesat në krizë. 11 biseda, secila me një gjatësi prej 90 minutash, janë kryer me një terapist dhe janë zhvilluar nga një prezantues i njohur televiziv. Ato janë përmbledhur në gjashtë DVD me një titull të marrë prej përrallave: "Të lumtur dhe të kënaqur. Gjithçka mbi burrin, gruan dhe familjen". Një përpjekje e çmuar nga ana e fondacionit që gruaja e Vladimir Putinit drejton për të ndihmuar 400 mijë çifte që divorcohen çdo vit në Rusi. Për të mos folur pastaj për miliona familjet ku dhuna është pjesë e pandashme e ditës: çdo ditë në vend, 14 mijë gra vriten nga bashkëshortët e tyre. Surpriza qëndron në faktin se është pikërisht Putin ajo që merret me familjet në krizë. Pas 25 vjetësh, thuhet se martesa mes ish-presidentit dhe Ludmillës është në vështirësi. Në maj, zonja Putin u shfaq në krah të të shoqit pas më shumë se 12 muajsh mungesë. Ai shfaqet në televizion një ditë po e një ditë jo, jo vetëm ndërsa kryen detyrën e Kryeministrit, por edhe ndërsa peshkon, gjuan, drejton një anije apo noton, ndërsa për ish-stjuardesën apo dy vajzat e çiftit nuk është shkruar asnjë fjalë. Ludmilla është aq shumë inekzistente, sa që deklarata e saj e pasurisë është bosh: nuk ka asnjë pasuri, kursime dhe nuk disponon asnjë të ardhur. Muaj më parë, një gazetë vendase, "Moskovskij Korrespondent", u përpoq të gërmonte në jetën private të Putinit, duke publikuar në faqen e parë një artikull ku thuhej se Putin kishte braktisur gruan dhe ishte gati për t‘u martuar me një gjimnaste. Kjo gazetë, në pronësi të një oligarku që pretendonte se kishte marrëdhënie të mira me Kremlinin, u mbyll vetëm një ditë më pas. Por, zërat se mes çiftit kryeministror ka krizë, nuk janë shuar ende, për shkak të paraqitjeve shumë të rralla të Ludmillës në publik përkrah bashkëshortit. Pas kaq shumë kohësh është hera e parë që emri i saj publikohet nëpër mediat vendase, duke lënë ende shumë vend për dyshime.