E Diel, 1 Nëntor 2026

Japoni, demokratët arrijnë fitore historike pas 54-vjetësh

Demokratët japonezë kanë arritur të bëjnë kthesën e madhe në vend, duke arritur një rezultat historik në zgjedhjet e djeshme. Pas plot 54 vjetësh, sipas sondazheve dhe opinioneve të bëra, liberaldemokratët e udhëhequr nga Taro Aso do të largohen nga pushteti. Njeriu i kthesës është 62-vjeçari Yukio Hatoyama, lideri i Partisë Demokratike në vendin aziatik, që ka arritur të fitojë mazhorancën absolute të vendeve në Dhomën e Ulët në Parlament. "Mendoj se populli japonez ka votuar për ndryshimin dhe kundër politikave të qeverisë", tha Hatoyama në një konferencë për shtyp, duke komentuar për herë të parë suksesin elektoral pas më shumë se 54 vjetësh në pushtet të liberaldemokratëve. E menjëhershme ka qenë përgjigjja e kundërshtarëve. "Rezultati është shumë i thellë dhe besoj se duhet të reflektojmë mbi këtë për një fillim të ri. Nga ana ime, marr përsipër gjithë përgjegjësitë e humbjes", tha Taro Aso, që nuk e fshehu trishtimin për humbjen, duke dhënë njëkohësisht edhe dorëheqjen nga lidershipi i partisë. Zërat për një humbje të liberaldemokratëve kishin nisur të qarkullonin prej ditësh. Kriza ekonomike, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe papunësia në shifra rekord, i kanë çuar japonezët drejt këtij vendimi. Televizioni kombëtar vendas dhe sajti i internetit të së përditshmes "Yomiuri Shinbun" kanë publikuar rezultatet menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në orën 20:00 me orën lokale, nga ku doli se Partia Demokratike e krijuar rreth 11 vjet më parë ka fituar 300 vende në Parlament nga 480 të tilla. Hatoyama, ku sipas rregullit lideri i partisë fituese bëhet Kryeministër, do të formojë qeverinë e re në koalicion me parti të tjera të vogla: Partinë Socialdemokrate, Partinë e re të Popullit dhe komunistët. Pas këtij bashkimi, mazhoranca mund të ketë deri në 350 vende në Parlament. Partia Demokratike duhet të sigurojë shumicën e thjeshtë prej 241 vendesh, për të qenë në gjendje të emërojë Kryeministrin e ri të vendit. Zyrtarët theksuan se pjesëmarrja në zgjedhje ishte mjaft e lartë. "Nuk e dimë nëse Partia Demokratike dotë bëjë atë çfarë ka premtuar, por dëshirojmë t‘i ofrojmë asaj një mundësi", tha një votues në Tokio. Demokratët kanë propozuar heqjen e pagesave nëpër autostrada, shkolla të larta pa pagesë, subvencionimin e bujqve, pagë më të lartë minimale dhe reduktim të tatimeve, forcimin në sistemin e asistencës sociale dhe ndërmarrjen e reformave rrënjësore në administratë. Ajo ka kërkuar gjithashtu marrëdhënie më të barabarta me Shtetet e Bashkuara, si dhe forcimin e lidhjeve me fqinjët aziatikë të Japonisë. Yukio Hatoyama ka deklaruar se sot do të mbledhë eksponentët më të rëndësishëm të partisë për formimin e qeverisë së re dhe ka falënderuar publikisht zgjedhësit, duke folur për "votën e ndryshimit". Partia Liberal Demokratike ka qenë në pushtet thuajse gjatë gjithë kohës, që prej vitit 1955.

Pas plot 54 vjetësh, sipas sondazheve dhe opinioneve të bëra, liberaldemokratët e udhëhequr nga Taro Aso do të largohen nga pushteti

Kriza ekonomike, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe papunësia në shifra rekord, i kanë çuar japonezët drejt këtij vendimi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›