Pakistan, 14 policë humbin jetën në një sulm kamikaz
Të paktën 14 policë kanë mbetur të vdekur në një atentat vetëvrasës të ndodhur në luginën e Svatit në verilindje të Pakistanit. Bëhet fjalë për një nga sulmet më të përgjakshme në këtë rajon, që nga momenti kur forcat e sigurisë kishin marrë kontrollin, pasi dëbuan nga Svati kryengritësit talebanë. Televizionet treguan pamje tronditëse nga vendi i ngjarjes, duke treguar agjentët e policisë që përpiqeshin të mblidhnin pjesët e trupave të copëtuar jashtë rajonit të policisë në qytetin më të madh të kësaj krahine, Mingoras. Sipas një zyrtari të policisë, atentati ndodhi në momentin kur rekrutët e rinj ishin angazhuar në një stërvitje afër kazermës, një ditë pasi ushtria shkatërroi një prej kampeve më të mëdha ku stërviteshin kamikazët. Në fillim ministri i Informacionit të kësaj province kishte deklaruar se 12 agjentë të një njësie policore kishin mbetur të vrarë gjatë stërvitjes afër rajonit, pasi një atentator ishte afruar dhe kishte hedhur veten në erë. Më pas u informua se numri i të vdekurve është 14. Në fund të prillit ushtria pakistaneze ndërmori një ofensivë të rëndë në tre distrikte: në Svat, Bas Dir dhe Buner, me qëllim pengimin e talebanëve drejt kryeqytetit Islamabad. Këto luftime kanë detyruar 1.9 milionë civilë të largohen nga vendbanimet e tyre, duke shkaktuar një krizë humanitare. Kryeministri pakistanez, Yousuf Raza Gilania, deklaroi muajin e kaluar se ushtria ka "eliminuar" të gjithë rebelët në këtë zonë. Por sulmet e vazhdueshme në këtë luginë dhe ato afër tyre të bëjnë të mendosh se talebanët janë ende të fshehur nëpër zonat përreth.