Gruaja me të dashurin, tritol për të vrarë burrin
Rruga e vetme për t’u ndarë me burrin për një 25-vjeçar ka qenë eliminimi i tij me eksploziv. Dy herë ka tentuar ta ekzekutojë në këtë mënyrë, me ndihmën e të dashurit të saj, por bashkëshorti ka qenë me fat dhe ka shpëtuar. Historia e rrallë ka ndodhur në kryeqytet, ndërkohë që policia, gjatë operacionit të koduar “Rrezja X”, ka vënë në pranga dy autorët e dashuruar, duke i “bërë bashkë” në qeli.
E gjithë historia ka filluar muaj më parë. Klodeta Metkola, tashmë 20 vjeçe, ishte njohur me Lulzim Metën dhe kishte rënë në dashuri me të. Familjes së saj asnjëherë nuk i tregoi për djalin, që tashmë është 25 vjeç. Duke menduar për të mirën e saj, familja kishte vendosur që ajo të martohet me Enderim Lezajn, që banon te pallatet malajziane, pranë Rrugës së Durrësit, në hyrje të Tiranës. Lezaj, 34 vjeç, ka një furgon të tij, me targa TR 0254 T, të cilin e përdorte për të mbajtur familjen. Ai ka blerë banesën dhe çdo ditë dilte në punë, duke mos dyshuar për asgjë te bashkëshortja. Por ajo mendonte vetëm si të ndahej prej tij, me qëllim që edhe familja ta mirëkuptonte. Gjatë gjithë kohës nuk kishte marrëdhënie të mira me të dhe në këto kushte ka thurur plane që të përfundojë në krahët e të dashurit 25-vjeçar. Një ditë, pikërisht dy muaj më parë, ata kanë planifikuar që t’i vënë eksploziv në makinë, e ta shpërthenin në momentin që burri nisej për në punë, e kështu ajo mund të kishte në dorë zgjidhjen e saj. Në fund të janarit, pikërisht më datë 28, kur Enderim Lezaj, 34 vjeç, po hipte në makinën e tij tip “Ford” te pallatet “Hawai”, ka zbuluar poshtë mjetit një sasi eksplozivi prej 400 gramësh. Fati ka qenë me të, pasi tritoli ishte planifikuar të aktivizohej me fije elektrike, por nuk ka bërë kontakt me kapsollën dhe nuk ka ndodhur shpërthimi. Menjëherë ai ka njoftuar policinë, që ka nisur hetimet, ku është marrë në pyetje në lidhje me dyshimet e tij, por nuk mund të etiketonte asnjë person konkret.
Në këto kushte, policia ka mbetur pa një pistë të qartë hetimi, derisa nuk vonoi të vinte edhe rasti i dytë. Prita e radhës Lezajt i ishte bërë në banesë. Rreth orës 19.00 të datës 21 shkurt, ai ka lënë makinën dhe ka shkuar në banesën e tij te pallatet malajziane, në kullën nr. 6, pikërisht në katin e tretë. Eksplozivi ishte vendosur në banesë dhe sapo ka hyrë brenda ka shpërthyer. Atë ditë në banesë nuk ndodhej nusja e tij e re. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, duke shkaktuar shumë dëme materiale, por vetë 34-vjeçari ka marrë dëmtime të lehta. Sërish policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet, kur ka rezultuar se brenda një muaji i ishin bërë dy atentate, duke sjellë dyshime të forta se dikush kërkonte medoemos eliminimin e tij. Në këtë rast, duke parë edhe vendosjen e eksplozivit, ka ngritur dyshimet se atentati mund t’i jetë bërë nga bashkëshortja. Me miratimin e tij, oficerët e policisë kanë vendosur ta marrin nën hetim vajzën e re, e cila gjatë muajit mars është takuar me të dashurin. Gjatë ndjekjes, asaj i është përgjuar edhe telefoni, duke vërtetuar fajësinë e saj në të dyja rastet bashkë me të dashurin 25-vjeçar. Pas konsultimit me prokurorin është vendosur që ata të arrestohen nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me lëndë plasëse. Kur janë marrë në pyetje, asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar akuzën, pavarësisht se policia vërtetoi se ata kishin organizuar eliminimin e 34-vjeçarit. Tashmë, ata do të dënohen në lidhje me këtë atentat, duke u dhënë fund tentativave për të vrarë një person me qëllim triumfin e dashurisë së tyre.
#