Grabiten tubat e transportit të naftës së Albpetrolit
Pronat e “Albpetrol” bien sërish pre e grabitjeve. Dy ditët e fundit, disa banorë të zonës naftëmbajtëse të Marinëzës kanë nxjerrë nga thellësia e tokës tubacionet e naftës dhe i kanë ngarkuar nëpër kamionë me destinacion tregun e skrapit në Fier. Realisht ka më se një vit që në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës është shndërruar në fenomen shkatërrimi i rrjetit transportues të naftës nga puset drejt kompanisë “Albpetrol”, por deri tani përveç disa rasteve sporadike, nuk është bërë asgjë konkrete për të parandaluar këtë shkatërrim. Nëse afro një vit më parë lufta kundër shkatërrimit të aseteve të kësaj kompanie dhe vjedhjes së naftës nga tubacionet përcjellëse ka qenë një nga prioritetet e punës së policisë së Fierit këtë vit duket se interesi është ulur së tepërmi, të cilët janë shprehur se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me këtë aktivitet të jashtëligjshëm ashtu si dhe asnjë denoncim. Ka zëra që shprehen se ky shkatërrim njihet prej të gjithëve madje dhe nga krerët e kompanisë, apo dhe të ministrisë, duke e parë atë si një zgjidhje për uljen e vlerës së gjigantit të naftës në vend, në prag të privatizimit. Të njëjtën gjë mendojnë dhe disa inxhinierë të vjetër të këtij sektori. “Ka disa kohë që po shfrytëzohen objekte pune, të cilat janë jashtë kushteve teknike dhe rregullave të sigurimit teknik në punë. Pothuajse të gjitha puset që kanë kabinat elektrike janë me dhe pa dyer, me dhe pa kyçe gjë që mund të sjellë edhe vdekjen e ndonjë punonjësi apo banori të zonës. Puset janë të parrethuara. Edhe pse ky shqetësim është ngritur me dhjetëra herë, ata përsëri janë në atë gjendje. Ka pasur raste që kulla e pusit është vjedhur brenda një nate dhe është shitur për skrap”, pohon një inxhinier nafte, i cili ka më shumë se 25 vjet në këtë sektor. Ndërkaq, kreu i kompanisë “Albpetrol”, Ferdinand Murati, nuk i ka mohuar rastet e shumta të vjedhjeve në zonat naftëmbajtëse, por ka thënë se ka pasur me dhjetëra raste kur policia lokale ka ndërhyrë.
Drejtoria e kompanisë “Albpetrol”, e shikon problemin te mungesa e rojave për vendburimet e naftës. Një strukturë e vogël rojash ndodhet pranë godinës së Drejtorisë së Përgjithshme dhe pranë portave kryesore të sektorëve në varësi të kompanisë. “E kemi të pamundur ruajtjen e të gjitha linjave të transportit të naftës si dhe të të gjithë territorit. Më e pamundur situata bëhet në ato puse që janë të fondit të ndalur apo që kanë përfunduar ciklin e prodhimit”, ka thënë drejtori Ferdinand Murati.
#