Ujësjellësi i tretë brenda 20 vitesh
Projekti për ujësjellësin e ri të Kukësit do të bëjë këtë qytet praktikisht me tri linja të ujit të pijshëm dhe është i treti që ngrihet brenda dy dekadave të fundit. Një nga projektet që në atë kohë u quajt ambicioz për t’i siguruar Kukësit 24 orë ujë të pijshëm ishte ai i financuar nga Gjermania në vitet ’90 bashkë me disa investime të tjera në Krumë të Hasit në shumë e rreth 15 milionë markave që përfundoi në vitin 1997. Ky ujësjellës me kapacitet rreth 180 litra në sekondë ishte parashikuar të përballonte nevojat e Kukësit për ujë 24 orë për një periudhë 50-vjeçare. Por shumë shpejt linja moderne e ndërtuar me një gjatësi prej 20 km u keqpërdor nga qindra familje fshatare, të cilat e prishën në shumicën e gjatësisë duke e përdorur për të ujitur tokat bujqësore. Ujësjellësi i dytë me kapacitet 80 deri në 100 litra ujë në sekondë u ndërtua në fund të vitit 1999 me financime arabe menjëherë pas luftës së Kosovës. Por në vitet e fundit qyteti mbeti me më pak se një orë ujë në ditë. Në këto rrethana, Bashkia e Kukësit i kërkoi qeverisë një ujësjellës të ri, të cilin me sa duket do ta ndërtojë në një mënyrë të tillë për të mos u dhënë mundësi abuzuesve ta prishin ashtu siç kanë bërë me dy të parët.
#