Gruaja që revolucionarizoi baletin modern
Ajo gjithnjë ishte në kërkim të lëvizjeve të reja. Isadora e kërkon frymëzimin në ritmet dhe në lëvizjet e fenomeneve natyrore, te dallgët, era, retë dhe vlerëson të gjitha mënyrat spontane të lëvizjeve, të vrapimit dhe hedhjes. Studioi me vëmendje kërcimet e Greqisë antike, duke kaluar orë të tëra nëpër muze, duke vështruar veprimet e kërcimtarëve dhe atletëve, të pasqyruar mbi vazot e basorelievet, duke kërkuar të kuptonte sekretin e harmonisë së tyre të jashtëzakonshme. Shembulli i saj tronditi botën e baletit dhe influencoi krijuesit e ardhshëm të baletin modern. “Ajo kërcen, ajo është e lindur për baletin...
Ajo do të kërcejë deri sa të vdesë, ashtu mbi këmbët e saj të zbathura, mrekullisht të pafjalta”, ka thënë për të Koletë. Isadora Duncan ishte vajza e një familjeje irlandeze e skoceze, e cila kishte emigruar në Amerikë në shekullin XIX. Ajo lindi më 26 maj të vitit 1877, në San Francisko dhe e filloi jetën e saj artistike në moshën 10-vjeçare, çka në atë kohë ishte diçka e rrallë. Ajo udhëtoi nëpër Europë para se të revolucionarizonte artin e dansit, si, në Londër, Berlin, Vjenë e Paris. Më vonë, në Moskë, ajo do të njihej dhe me mjeshtrin e shquar rus, Sergei Diaghilev, si dhe regjisorin e teatrit, Constantin Stanislavski. Në jetën e saj, ajo provoi njëherësh aventurën, lavdinë, dashurinë, vuajtjen dhe tragjedinë. Jeta e saj intime e lidhi atë me regjisorin Gordon Graig, si dhe me industrialistin Paris Singer, me pianistin amerikan Walter Rummel, me aktorin hungarez Oscar Beregi dhe poetin rus Sergei Esenin, me të cilin u martua në vitin 1922. Ajo ishte mikesha e skulptorëve Rodin dhe Bourdelle, të cilët e vizatuan plot lirizëm. Po kështu, ajo ishte mikeshë e piktorit Van Dongen, e fotografit dhe piktorit amerikan, Edward Sreichen, si dhe e artistëve të shumtë të epokës së saj. Muzikante e mirëfilltë, ajo kërcente me këmbë të zbathura, e shoqëruar me muzikë të Bethovenit, Chopin, Cajkovskit, etj. Ajo i bëri veçanërisht të njohur publikut francez kompozimet e kompozitorit gjerman të periudhës klasike, Gluck. Këta dy artistë, që i ndante mes tyre një shekull, bashkoheshin, duke futur në artet e tyre respektive të natyrshmen dhe të vërtetën dramatike. Kështu, Isadora Duncan do të revolucionarizonte dansin në dekadat e para të shekullit XX. “Arti im është një përpjekje, ku midis lëvizjeve, unë shpreh të vërtetën e qenies sime”, shprehej ajo.
#