Gruaja tenton dy herë vetëvrasje nga dhuna, 16 muaj burg burrit
Tiranë- Një 24-vjeçar është dënuar me një vit e 4 muaj burg për dhunën e ushtruar ndaj një gruaje me të cilën bashkëjetonte. Si pasojë e dhunës ajo kishte tentuar dy herë të vriste veten.
Gjykata penale shprehet se rezulton e provuar se i pandehuri Samir Bakallai është beqar dhe bashkëjetonte me shtetasen L. Myftari, me të cilën ka një fëmijë gjashtë muajsh.
Gjatë bashkëjetesës, i akuzuari ka ushtruar dhunë çnjerëzore ndaj vajzës, çka e ka detyruar atë të largohet nga shtëpia duke u kthyer tek prindërit e saj në Sauk. Madje në dhunë e sipër 24-vjeçari i ka thyer edhe gishtat bashkëjetueses së tij.
Ndërsa në qëndrimin e saj, prokuroria argumenton se në depresion e sipër bashkëjetuesja, për t’i shpëtuar dhunës, ka tentuar të vrasë veten, duke pirë helm në një rast të provuar nga raportet në spital dhe në një rast tjetër ka goditur veten me thikë në bark. Për këto fakte të përmendura në gjykatë nuk dihet se përse prokuroria nuk ka ngritur ndaj të pandehurit edhe akuzën e shtyrjes në vetvrasje.
Nga aktekspertimi mjeko-ligjor të datës 20 qershor, thuhet në vendimin që gazeta IDEA disponon, rezultojnë të provuara dëmtimet e mësipërme të cilat klasifikohen si plagosje e lehtë, shkaktuar nga i pandehuri. Konkretisht, ekspertët mjeko ligjorë kanë gjetur fraktura në krahun e L.Myftarit. Gjatë gjykimit, i pandehuri shprehet se ka patur mosmarrëveshje me bashkëjetuesen e tij, por këto kanë ndodhur sipas tij për çështje familjare.
Në përfundim gjyqtari deklaron se duke marrë parasysh faktin se i riu nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, dhe se ka shprehur pendim të thellë për dhunën në familje, i jep atij 2 vjet burgim, por që në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi i zbret në një vit e katër muaj heqje lirie.