Gruaja tradhtare tek "Marubi"
Një film mbi tradhëtinë, vijon kinemanë e së enjtes në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi". Bëhet fjalë për filmin "La femme infidele", një prodhim i vitit 1969. Filmi prej 98 mimutash me regji të Claude Chabrol, nis me dyshimet e një bashkëshorti, të ndier të tradhtuar. Charles Desvallees ndjen se gruaja e tij e tradhton. Për të vërtetuar dyshimet e tij, punëson një dedektiv privat. Kur mëson se i dashuri i saj është shkrimtari Victor Pegala, burri shkon në shtëpinë e tij dhe e vret. Ngjarjet ndjekin njerë-tjetrën, duke krijuar situata sa dramatike aq edhe komike. Në film interpretojnë Stephane Audran, Michel Bouquet, Michel Duchaussoy. Filmi mbështillet nga një tis humori dhe ironie. Edhe pse flitet për tradhti e vrasje, regjisori, nuk e lë që t'i shkasë vepra në rrymat e tmerrit. Filmi ka disa pjesë kulmore, të cilat të "lidhin" pas filmit. Pas 33 vjetësh nga realizimi i parë francez, "Gruaja tradhtare" u rimor nga regjisori Adrian Lyne, në vitin 2002. Filmi do të shfaqet në ekranin e madh të "Marubit" në datën 24 në orën 19.00. Filmi është në gjuhën frënge dhe i subtitruar në gjuhën angleze.