E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papavrami : "Paganinin e mësova bashkë me Çufon"

Në 24 janar Tedi Papavrami jep një koncert në Tiranë. Interpreton Paganinin, të njëjtën vepër që interpretoi kur ishte 11 vjeç
Kudo që shkon mundohet të japë maksimumin, por nuk mund ta mohojë se këtë herë është diçka më shumë se një koncert i zakonshëm. Ka diçka nostalgjike. Është një takim pas shumë vitesh. Në 24 janar, violinisti Tedi Papavrami, do të japë një koncert në Tiranë, i shoqëruar nga Orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar. Do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me Koncertin nr 1 të Nikola Paganinit. Nuk e ka zgjedhur më kot. Me Paganinin ka ndarë lojërat e fëmijërisë. Ishte në moshën e përrallave atëherë, kur bashkë me të atin, profesorin e njohur të violinës, Robert Papavrami, mësonte pikërisht Paganinin. Ishte vetëm 11 vjeç kur ka interpretuar Koncertin nr.1 të Paganinit, me të cilin rikthehet në Tiranë. Në këtë koncert do të jetë i shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, me të cilin realizoi të fundit koncert para largimit nga Shqipëria. Krahas interpretimit virtuoz të Papavramit, për publikun e TKOB-it, orketra do të interpretojë edhe Sinfoninë nr.2 në re Mazhor, nga Johannes Brahms. Viteve të fundit Papavrami ka qenë vazhdimisht i pranishëm në Tiranë, si imazhi i një marke të njohur orësh zvicerane, si aktor në filmin e Artan Minarollit. Vetëm pak kohë më parë, i shoqëruar nga pianistja Anita Tartari, në kuadrin e festivalit "Takimet muzikore të dy botëve", solli në kalanë e Argjirosë, në Gjirokastër pjesë nga kompozitorë të njohur si Bach, Bartok, Sarasate, Ravel, De Falla, por edhe tingujt e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi me veprën "Valle Popullore Shqiptare". Gjatë vitit të kaluar realizoi edhe dy koncerte në Maqedoni e Kosovë. Tanimë është koha të kthehet në Tiranë. Ashtu si edhe në Gjirokastër, edhe këtë herë është i ftuar nga shoqata franko-shqiptare, "Argjiro". E themeluar në korrik të vitit 2006 në Paris me iniciativën e Ilda Marës dhe një grupi gazetarësh, artistësh dhe studiuesish francezë, kjo organizatë ka për qëllim të ndihmojë sadopak në rritjen e shkëmbimeve kulturore të Shqipërisë në Evropë e më gjërë, në shërbim të vlerave kulturore, intelektuale, artistike, historike e njerëzore. T'i japë një hov jetës kulturore-artistike kryesisht në Gjirokastër, por dhe në qytete të tjera. Të forcojë kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet artistëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe të edukojë publikun me një art cilësor. Bashkë me artin e vërtetë, "Argjiro" synon edhe promovimin e turizmit kulturor, duke u prezantuar fillimisht artistëve të ftuar pasuritë kulturore që trashëgohen nga e kaluara, si në rastin e Kalasë së Gjirokastrës, ku "Argjiro" organizoi pak muaj më parë festivalin ndërkombëtar "Takimet muzikore të dy botëve"
Këto vitet e fundit keni kaluar në Tiranë, por nuk keni interpretuar në skenat e saj, në një koncert të mirëfilltë, ka ndonjë arsye pse jo më parë? Pse tani?
Nuk kam luajtur në Tiranë se nuk kam patur propozime konkrete dhe unë nuk mund të jem edhe interpretues edhe organizator. Zonja Ilda Mara pas bashkëpunimit tonë në Gjirokastër dëshironte të organizonte një koncert me mua në Tiranë. Orkestra e Radio Televizionit ishte e interesuar gjithashtu, kështu u fiksua data.
Kanë kaluar kohë nga koncerti i fundit në Tiranë, cilat janë ndiesitë që provoni tani?
Ëshë gjithmonë prekëse të luaj në një vend, ku një pjesë e publikut më kanë njohur që të vogël. Po nga ana profesionale, mundohem ta ushtroj zanatin tim njëlloj kudo. Rëndësi ka muzika dhe ajo i përket botës së kompozitorit, jo times.
Sërish një bashkëpunim me dirigjentin Ermir Krantja, me të cilin realizuat edhe koncertin e fundit në Tiranë. Është dirigjenti juaj i "besuar", apo është një koincidencë e bukur?
Po është e vërtetë. Me të kam realizuar koncertin e fundit para ikjes time nga Shqipëria në kohën e regjimit komunist. Me Ermirin patëm rast të bashkëpunojmë një vit më parë në Prishtinë dhe në Maqedoni. Kam një besim të plotë tek ai muzikalisht, sido qofshin konditat e koncertit. Simboli i koncertit të fundit nuk do të vlente pa këtë.
Kush do të donit të ishte ulur në radhë të parë, në sallën ku do të jepni koncertin?
Njerëz të cilëve muzika iu intereson në mënyrë të sinqertë.
Keni zgjedhur të luani Paganinin, ka ndonjë arsye të veçantë në këtë zgjedhje?
Do të luaj Koncertin e Paganinit në Re mazhor. Është një koncert i lidhur me Shqipërinë. E kam mësuar me babain këtu, kur lexoja "Çufon dhe bubin kaçurel", e shumë gjëra të tjera të asaj kohe. Me të hyra në Konservator të Parisit në vitin 1982… Kështu që i përket nga kjo anë, kujtimeve të femijërisë time të largët në Tiranë.
Meqë jemi tek fëmijëria, u larguat fare i ri nga Shqipëria, si e mbani mend Tiranën e asaj kohe? Si ju duket sot?
Shumë e ndryshuar. Por sado e shoh, në kujtimet e mija kthehet pastaj ashtu si ka qenë. Janë dy qytete të ndryshëm, që koha i ka dyzuar në mendjen time.
Ndërkohë si po ju shkon puna me përkthimin? Ndonjë projekt i ri?
Në këtë moment nuk jam duke përkthyer, pres publikimin e librit të fundit të Ismail Kadaresë ("Verbimi hyjnor"), që e kam përkthyer në frëngjisht disa muaj më parë.
Po në lidhje me filmin, do t'i riktheheshit edhe një herë rolit të aktorit?
Në qofte se më propozohet diçka që më pelqen, po. Sidoqoftë, filmi nuk bëhet nga aktori, por regjisori. Në pastë që mendojnë që prezenca ime mund të vlejë, është puna e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›