E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski: Formula e dyfishtë, kompromisi i vetëm për emrin

Kreu i Qeverisë, Nikolla Gruevski deklaroi se, formula e dyfishtë është kompromisi i vetëm që Maqedonia mund ta bëjë për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Gruevski deklaroi se ky pozicion i është paraqitur edhe ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic në takimin e fundit.

“Nuk arritëm pajtueshmëri me Nimicin, dhe unë i kumtova se prap është më mirë edhe njëherë të mendohet dhe të gjehet mënyra për ta bindur anën tjetër, të shkojmë sërish drejt asaj që përmban kompromis”, tha Gruevski.

Sipas tij, idetë e fundit të Nimicit kanë shkuar në linjë me qendrimin grek, për një emër i cili do të shërbente për të gjitha përdorimet, që për ne është i prapanueshëm.

"Nimic në një farë mënyre propozon diçka që do i ngjante përdorimit të një emri të ri, për përdorim të plotë ndërkombëtarë. Por kjo për ne ishte e papranueshme dhe këtu u ndalëm”, tha Gruevski.

Ministrja Bakojani të premten e përsëriti pozicionin e Athinës zyrtare se, zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, emër me përcaktim gjeografik i cili do të shërbente për të gjitha përdorimet.

E ashtuquajtuar formulë e dyfishtë është propozimi zyrtar i Shkupit. Maqedonia pranon idenë e përdorimit të një emri të posaçëm në marrëdhëniet e ndërsjellta me Greqinë por do emrin e saj kushtetues, Republika e Maqedonisë, që të përdoret në komunikimet me vendet e tjera. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›