E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdorëzohet vrasësi i rojes

RRËSHEN - Eshte dorezuar sot ne mesdite krimineli qe vrau dje rojen e nje parkingu ne Rreshen. Policia sot ka dhene lajmin se Gjin Lleshi eshte vetedorezuar ne polici dhe do te degjohet edhe deshmia e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mesditës së djeshme në qytetin e Rrëshenit, kur një 35- vjeçar ka vrarë me pistoletë rojen e një magazine në rrethinat e këtij qyteti për motive krejt të rëndomta. Gjithçka ndodhi papritur rreth orës 14.30 kur Gjin Lleshi me makinën e tij kamion autovinç pa targa, i është afruar magazinës tek ish-frigoriferi për të kaluar mespërmes tek një vendgrumbullim hekurishtesh për skrap, por është ndeshur me rojen e atij mjedisi privat, i cili i ka thënë se nuk duhet të kalojë aty, por t’i bjerë nga ana tjetër e ndërtesës nëse donte të mbërrinte në destinacionin e tij. Sipas dëshmitarëve, pas këtij sqarimi që roja Gjergj Ndreca i ka bërë, Gjin Lleshi zbret nga kabina e makinës së tij për t’u zënë e shamatuar në hyrje të këtij kompleksi magazinash me rojen. Ky i fundit është munduar ta sqarojë duke i thënë se aty brenda kishin ndodhur vjedhje dhe se për këtë ishte urdhëruar nga pronarët e atij vendi që askush të mos futej, ndaj e ka këshilluar t’i binte me makinën e tij nga një rrugë tjetër për të shkuar  tek vendi i grumbullimit të hekurishteve ku do të ngarkonte. Por  Gjin Lleshi i është përgjigjur se nuk më ndalon dot kush të kaloj këtu, ndaj e ka shtyrë për të hapur udhën. Për të shuar sherrin ka ndërhyrë dhe poseduesi i hekurishteve ku do të shkonte me makinën e tij 35- vjecari për të ngarkuar . Por janë dashur vetëm pak minuta zënkë që Gjin Lleshi të nxirrte pistoletën që mbante në brez, për të qëlluar tri herë mbi rojen 53- vjeçar. Dy plumba e kanë zënë nga njëra anë e tëmthit në kokë për të dalë në anën tjetër dhe një tjetër plumb më poshtë kokës duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, i egërsuar dhe me armë në dorë Gjin Lleshi i është sulur dhe fëmijës së viktimës, Aldit 10- vjecar, ndërsa ky është fshehur. Më pas vrasësi është larguar përmes disa shkurrishteve në lumë  për t’u zhdukur në drejtim të paditur. Menjëherë tek viktima që nuk  jepte shenja jete ka shkuar fëmija i tij ndërsa krismat janë dëgjuar nga të afërmit e viktimës dhe disa familje që jetojnë në ato rrethina, disa prej të cilëve kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur në një pellg gjaku të vdekur Gjergj Ndrecën, rojen e magazinave. Brenda pak minutash, në vendgjarje kanë ardhur forca të policisë vendore dhe më pas dhe ata të drejtorisë së policisë të Lezhës, të cilat janë vënë në ndjekje të vrasësit, por pa bërë të mundur kapjen e tij, ndërsa janë ngritur postoblloqe nëpër akset nacionale. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët, njerëz të afërm të 53 -vjeçarit dhe poseduesin e hekurishteve që kanë rrëfyer tërë skenën e kësaj vrasjeje. Sipas banorëve, që ishin të trishtuar nga një vrasje e tillë, Gjergj Ndreca ishte baba i dy fëmijëve, djalit 10- vjecar dhe vajzës së tij 15 vjeçe, dhe jetonte në një kthinë aty tek kompleksi i magazinave në gjendje të vështirë ekonomike. Ai njihej si njeri i urtë dhe i mirëkuptueshëm me të gjithë, ndërsa disa të tjerë thanë se e kemi parë skenën e zënkës, kur roja i është lutur vrasësit të largohej në drejtim tjetër me makinë e tij, por vrasja ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Nga ana tjetër mësohet se vrasësi ka qenë në një dasmë tek njerëz të tij të afërm, dhe mund të ketë qenë dhe nën efektet e alkoolit, ndërsa vrasja është kuptuar  vetëm nga dëshmitarët okularë, pasi në ato momente thuajse në tërë anët e Rrëshenit ku kishte disa dasma, shtihej në ajër me armë të ndryshme të pashqetësuar nga ana e policisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›