Gruevski: Përmbushëm të gjitha kushtet, na bllokon Greqia

Kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin se Maqedonia do zgjidhje për kontestin e emrit dhe se do të vazhdojë në të ardhmen të negociojë me Greqinë.
Gjatë një takimi partiak, Gruevski ka lavdëruar punën e bërë dhe reformat e kryera deri më sot, por duke shprehur keqardhje se “kjo s`ka mjaftuar që vendi të anëtarësohet në BE dhe NATO”.
“Shkak është bllokada dhe kushtëzimi i Greqisë me qëllim ndryshimin e emrit tonë kushtetues, ndryshimin e identitetit tonë, ndryshimin e kombësisë sonë dhe ndryshimin e gjuhës sonë. Vetëm për shkak të kësaj dhe për shkak të pamundësisë të gjendet zgjidhje për këtë çështje dhe Greqia të kuptojë realitetin, Maqedonia nuk është ende anëtare e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Gruevski.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka vijuar Gruevski, tregon se drejtësia ndërkombëtare është pozicionuar në anën e Maqedonisë dhe tha se "vendi nuk e ka thyer asnjëherë Marrëveshjen e Përkohshme të vitit 1995, por se këtë e ka bërë Greqia”.