E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski do ta “bartë” Stambollin në Shkup

Me ndihmën e forcave policore, shërbimi i parqeve dhe gjelbërimit ka prerë gjatë natës drunjtë në parkun përballë hotelit “Bristol” në qendër të Shkupit. Policia ka shpërndarë protestuesit, të cilët tash e pesë ditë kishin ngritur tenda në këtë park, për ta ruajtur at nga shkatërrimi. Qytetarët thonë se prerja e parkut është siguruar nga një numër i madh forcash policore, duke filluar që nga njësitet Alfa e deri tek forcat speciale për ndërhyrje të shpejtë.

“Rreth orës 3 të mëngjesit, ne qytetarët e qendrës së Shkupit protestonim qetë kundër prerjes dhe shkatërrimit të këtij parku të mrekullueshëm. Përnjëherë aty arriti një numër i madh policësh. Rreth 30 pjesëtarë të njësisë speciale “Alfa”, pjesëtarë të njësisë për intervenim të shpejtë dhe policë të tjerë, të cilët na dëbuan në mënyrë brutale dhe të paskrupullt. Pastaj erdhën të punësuarit në “Parqe dhe gjelbërime” dhe filluan që të presin drunjtë në mënyrë brutale”, tha një protestues.

Protestuesit shpjegojnë se ndaj tyre është përdorur edhe dhunë fizike dhe u janë marrë celularë e aparate fotografike, me qëllim që ngjarja të mos filmohet, raporton Alsat-M.

Ka reaguar edhe Komuna Qendër, në territorin e së cilës gjendet ky park. Kreu i Komunës, Andrej Zhernovski ka ftuar kryeministrin që të dalë në vendin e ngjarjes.

“Kryetari i Komunës Qendër u bën thirrje këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së të sqarojnë nëse janë me qytetarët apo jo, dhe nëse i respektojnë dëshirat e tyre, apo sërish do të radhiten pas dëshirave të kryeministrit”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Gruevski të dalë sot në vendin e krimit dhe të mos thotë pastaj se nuk e ka parë ngjarjen dhe se i vjen keq. Komuna Qendër dhe kryetari i saj e dënojnë ashpër këtë akt vandal dhe qyqar”, thuhet në komunikatë.

Në lokacionin e parkut në qendër është parashikuar ndërtimi i objektit administrativ për Këshillin radiodifuziv, pjesë e projektit ‘Shkupi 2014’./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›