E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistë serbë rrahin dy shqiptarë në Ohër

Në Ohër sot ka ndodhur një rrahje mes turistëve. Siç njofton policia e këtij qyteti në jugperëndim të Maqedonisë, në orët e para të mëngjesit katër pushues serbë janë përleshur me dy të rinj shqiptarë nga Kërçova.

Mësohet se rrahja ka ndodhur si pasojë e një sherri banal mes të rinjve para klubit të natës “Havana”, rreth orës 5:30 të mëngjesit. Të rinjtë serbë, nga mosha 21 deri në 26 vjeçar, janë përleshur me të rinjtë shqiptarë 23 dhe 26 vjeçar, me grushte, shqelma në kokë dhe në trup, ndërkohë që gjatë sulmit kanë përdorur edhe shishe qelqi dhe gurë, duke lënë pas plagë të rënda dhe të dukshme mes tyre, raporton Alsat-M.

Të lënduarve shqiptarë u është dhënë ndihma mjekësore në Qendrën Spitalore të Ohrit. Mësohet se ata janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër thotë se vazhdon të hetojë rastin. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›