Gruevski përsërit idenë e referendumit
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka përsëritur qëndrimin e tij se çdo propozim për emrin e Maqedonisë, do të kalonte përmes referendumit.Kreu i Qeverisë e bëri këtë deklaratë pas njoftimeve në median e Shkupit se Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice do të bëjë një propozim të ri për emrin e Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 23 shtator.
Siç njofton BBC këto njoftime nuk janë konfirmuar nga kryeministri. Ai ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të tyre.
Gruevski po ashtu ka thënë se nuk kishte të dhëna se ndërmjetësi ndërkombëtar në çështjen e emrit, Metju Nimiç, do të pezullonte përkohësisht punën e tij.
“Ne nuk krijuam një përshtypje të këtillë. Përkundrazi, ai ka një entuziazëm të plotë për t'i zgjidhur problemet”, tha ai.
Kryeminisitri i ka hedhur poshtë akuzat e palës greke se ai e ka frenuar zgjidhjen e problemit të emrit.
Gruevski i kërkoi fajtorët në mesin e qeverive të kaluara të Athinës dhe Shkupit.
Kohëve të fundit është shtuar angazhimi diplomatik, sidomos i administratës amerikane, për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit.
Por ambasada amerikane në Shkup i ka mohuar njoftimet në media për ekzistencën e një propozimi konkret të administratës amerikane.
Megjithatë, ambasadorja amerikane në largim, Xhilian Millovanoviq e ka paralajmëruar sërish Shkupin se pa zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë fqinje, rrezikon anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian.