E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski sot rizgjidhet lider i VMRO-DPMNE

Kryeministri Nikolla Gruevski sot pritet të rizgjidhet në postin e liderit të partisë VMRO-DPMNE, në Kongresin e 14-të që po mbahet në Manastir.

Shumica e delegatëve pritet të zgjedhin formalisht për një mandat të tretë liderin e tyre, i cili dje në një fjalim përshëndetës paralajmëroi se nga java e ardhshme vendi do të nisë fushatën parazgjedhore  dhe se partia që drejton ai sërish do të fitojë zgjedhjet, pas epërsisë së dyfishtë në raportin me opozitën.

Në Kongresin e kësaj partie dje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë shqiptare në pushtet BDI, ndërsa sekretari i përgjithshëm Abdylaqim Ademi ka mbajtur një fjalim para delegatëve të VMRO-DPMNE-së.

Kongresi po mbahet me moton “E Vërteta gjithmonë fiton”, ndërsa kjo moto pritet të jetë edhe pjesë e fushatës zgjedhje për zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare.

Gruevski në garën për kryetar të partisë nuk ka asnjë kundërkandidat. Ai pritet që në fjalimin e tij të përcaktojë betejën për zgjedhjet e parakohshme, duke bërë publike edhe datën e përafërt të mbajtjes së zgjedhjeve, edhe përkundër bojkotit të opozitës. Gruevski u zgjodh lider i VMRO-DPMNE-së në vitin 2003 në kongresin e kësaj partie në Ohër, pas tërheqjes nga kreu i partisë të ish-liderit dhe ish-kryeministrit Lubço Georgievski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›