E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski:Maqedonia e gatshme për zgjidhjen e emrit

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski deklaroi se Maqedonia është e gatshme për zgjidhjen e emrit, por se në këtë drejtim duhet edhe vullnet nga Greqia.
"Shteti është i gatshëm që të gjindet zgjidhje për kontestin e emrit. Ky është interesi ynë dhe ne dëshirojmë zgjidhje", tha Gruevski për agjensinë e lajmeve INA.
I pyetur për deklaratën e liderit të BDI-së Ali Ahmeti në Konferencën kushtuar Marrëveshjes së Ohrit se ndoshta është koha që bashkësia ndërkombëtare në mënyrë më aktive të ndikojë në menaxhimin e problemit, Gruevski tha se ajo nuk është vetëm në kohën e fundit dhe se vazhdimisht vijnë sugjerime të tilla.
"Jemi pjesëmarrës në të gjitha komunikimet dhe kontaktet nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara dhe ne dëshirojmë që në mënyrë më intensive të gjendet zgjidhje për shkak se ajo është në interesin tonë, të popullit tonë, të qytetarëve tanë, të vendit tonë. Kuptohet, presim që Greqia të tregojë vullnet të tillë dhe shpresojmë se ajo do të ndodhë", theksoi Gruevski.
Për atë nëse pret dialog me partnerin e koalicionit BDI lidhur me politikën shtetërore për emrin, kryeministri Gruesvki tha se pret me siguri edhe për emrin edhe për çdo gjë tjetër, për shkak se, sipas tij, shteti i takon të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga bashkësia e tyre etnike. Lidhur me procesin e eurointegrimit, shefi i Qeverisë theksoi se është arritur progres serioz dhe se pret raport pozitiv nga KE-ja.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›