Merkel: Kriza ekonomike jo pengesë për integrimin e Ballkanit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nis turneun ballkanik në Kroaci me mesazhin se kriza ekonomike nuk do t`i mbyllë dyert e Bashkimit Evropian për anëtarët e rinj të Ballkanit, por ata duhet të përmbushin kriteret.
"Ne kemi hapur perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe varet vetëm nga ajo se sa i përmbushin kushtet", tha Merkel për televizionin kroat HRT, para udhëtimit.
"Nuk do të lejojmë që disa vende të qëndrojnë para derës, sepse vendet e tjera kanë probleme me borxhet, çfarë do të thotë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën, Bosnjë e Hercegovina duhet të ketë një qeveri dhe Maqedonia duhet të zgjidhë mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë", tha Merkel.
Kroacia pritet t`i bashkohet BE-së më 1 korrik të vitit 2013. Merkel në Zagreb do të takojë presidentin Ivo Josipoviç dhe kryeministren Jadranka Kosor ndërsa ndalesa e dytë e kancelares gjermane do të jetë Serbia.