E Diel, 1 Nëntor 2026

Grumbullimi kombëtarja nis misionin "Euro 2012"

TIRANE- Tani gjërat bëhen serioze dhe nuk ka më kohë për eksperimente. Kombëtarja shqiptare ka nisur dje grumbullimin e parë për ndeshjet eliminatore të Euro 2012, ku synimi do të jetë si gjithnjë ngjitja një vazo në renditjen e FIFA-s, ç'ka do t'i lejonte Shqipërisë një short më të mirë për eliminatoret e ardhshme.
Në Durrës, Josip Kuzhe e di mirë se koha e miqësoreve kanë mbaruar, pasi të premten është ndeshja e parë zyrtare, Rumania. Në fushën e tyre, Shqipëria u mund 6-1 në nëntorin e vitit 2007, një disfatë që shkaktoi një furtunë të vërtetë në mjedisin futbollistik shqiptar. Këtë herë, gjërat ndryshe, të paktën nga fakti se kombëtarja kuqezi vjen pas një ecurie mjaft të mirë në ndeshjet miqësore. Golat në portën kuqezi janë rralluar, ndërsa skuadra duket më kompakte. Dje, në grumbullim kanë qenë lojtarët që luajnë në Shqipëri, si edhe lojtarë që nuk kanë patur shumë impenjime në fundjavë, si Kapllani apo Skela.
Trajneri
Josip Kuzhesë i duhet të përballet me një precedent jo shumë të mirë për të në ndeshjen me Rumaninë. Asnjë trajner i huaj nuk ka humbur në të shkuarën në ndeshjen e parë eliminatore. Dosena e nisi me një barazim 1-1 ndaj Zvicrës, Brigel fitoi 2-1 me Greqinë në eliminatoret e Botërorit 2006, Bariç mori një barazim 2-2 në Bjellorusi, ndërsa Ari Han një barazim pa gola ndaj Suedisë në Tiranë. Një nga synimet e teknikut kroat është të ruajë të paprekur këtë "rekord", ndërkohë që një rezultat i mirë në Rumani do t'i jepte një revansh karshi patriotit të tij Oto Bariç, me famën e të cilit i është dashur të përballet në këtë periudhë. Gjëja më pozitive për të mund të konsiderohet fakti se Rumania është një skuadër në ndërtim e sipër, ndërkohë që për takimin e parë do të mungojnë dy futbollistë fondamentalë si Kivu apo Mutu.
Problemet
Shqipëria shkon në ndeshjen e së premtes ndaj Rumaninë me synimin për të bërë diçka ndryshe nga humbja e vitit 2007, megjithatë kuqezinjtë kanë ende probleme të shumta. Një prej lojtarëve kryesorë, fantazisti Ervin Skela, është ende pa skuadër, ndërkohë që në sulm Bogdani nuk është parë ende në formën e tij më të mirë ndaj Romës, megjithëse luftoi dhe u sakrifikua shumë. Një tjetër problem mbetet mesfusha, pasi spostimi i Canës në mbrojtje bën që kombëtarja të humbasë një futbollist me aftësi shkatërruese dhe organizuese. Një gjë të tillë tashmë duhet ta bëjë Bulku, ndërkohë që Muzaka e Agolli pritet të jenë dy "xholat" e Kuzhesë, ata që do të bëjnë të mundur që topat të shkojnë te dyshja e sulmit Bogdani-Salihi. E megjithatë, problemi më i madh për kombëtaren mbetet forma e futbollistëve, që nuk duket aq e mirë, ndonëse gjërat mund të ndryshojnë deri të premten.
(GSH/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›