E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grup pune për 100 vjetorin e Nënë Terezës

Më 26 gusht bëhet 100 vjetori i lindjes së bamirëses shqiptare Nënë Tereza. Për këtë qëllim Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh. Në Tiranë për këtë qëllim është miratuar ngritja e një komisioni qeveritar i kryesuar nga zv. ministri i Kulturës z. Nikollë Lesi; ndërsa në Maqedoni Parlamenti dhe Ministria e Kulturës e Maqedonisë kanë miratuar një program aktivitetesh për festimin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Në këtë të fundit,

 lëvizja shqiptare Zgjohu , organizata që mbrojti shtëpinë e saj nga tjetërsimi, ka propozuar një seri aktivitetesh që do jenë paralel me aktivitetin e organizuar nga shteti maqedon. Ndërsa momenti kulminant do jetë një koncert i madh filarmonik me instrumentistë nga Filarmonitë e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku pritet të jetë soliste Inva Mula, e që pritet të jetë një tjetër aktivitet i madh në kujtim të Nënë Terezës, ndërkohë që mendohet të realizohet edhe prezantimi i një filmi të shkurtër dokumentar mbi jetën e saj në të gjitha vendet. Ndërkohë që në Shqipëri, Komisioni Shtetëror do të merret dhe me realizimin e Memorialit të Nënë Terezës me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, që është me 26 gusht të këtij viti. Ideja është se Memoriali mund të jetë në një vend të dukshëm e të rëndësishëm të Tiranës. Në përbërje të këtij Komisioni Shtetëror janë figura të rëndësishme të kulturës, si dhe disa institucione, në mënyrë që programi dhe projekti i Memorialit të jetë gati për më 26 gusht, ku do të vendoset guri i parë në themelet e kësaj vepre të madhe për nder të Nënë Terezës, humanistes me famë botërore dhe me origjinë shqiptare. Kryetar i këtij Komitetit Shtetëror është emëruar zv/ministri i Turizmit dhe Kulturës Nikoll Lesi, i cili ka zhvilluar mbledhjen e pare këto ditë në zyrat e ministrisë. Në mbledhje ka qenë edhe zonja Liri Berisha, si presidente e fondacionit kulturor "Nënë Tereza". Në fund Grupi i Punës do të paraqesë tek Kryeministri Berisha projektin përkatës shoqëruar dhe me faturën financiare që do të nxirret nga Buxheti i Shtetit. Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, të Maqedonisë. Ishte fëmija e tretë e Nikolës dhe Drane Bojaxhiu. Në moshën 5vjeç e gjysmë mori kungimin e saj të parë. Familja e pagëzoi me emrin Gonxha Agnes. Babai i saj vdiq kur Nënë Tereza ishte vetëm 8 vjeç, duke e lënë familjen jo në kushte të mira financiare. Por nëna e saj Drane i rriti të tre fëmijët me dashuri dhe kujdes të veçantë. Në moshën 18 vjeçare Nënë Tereza vendosi të bëhej misionare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›