Grupi Parlamentar i PD kërkesë Presidentit: Ndaloni përfshirjen e institucionit në procesin zgjedhor

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD, i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj që të mos ndërhyjë përmes kabinetit të tij, në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Duke iu referuar rastit të anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht të jetë edhe këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi sqaroi se angazhimi i kabinetit të Presidentit në procesin e administrimit të zgjedhjeve nënkupton që institucioni i Presidentit të Republikës po cenon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.
“Ndërhyrja juaj në procesin zgjedhor, përmes kabinetit tuaj, minon figurën e Presidentit të Republikës dhe e bën atë palë të certifikimit të një farse të plotë elektorale, siç provoi edhe raporti paraprak i vëzhguesve të OSBE-ODIHR, ku theksohet shkrirja e shtetit me partinë në pushtet. Është e papranueshme që shkrirja e shtetit me partinë në pushtet të shtrihet deri tek figura e Presidentit të Republikës apo Institucioni i Presidentit të Republikës. Kjo dëmton në mënyrë të pakthyeshme rolin dhe përgjegjësinë tuaj si kryetar i shtetit, si institucion kushtetues mbi palët politike apo si unifikuesin e popullit”, shprehet Bardhi.
Në KAS vijon shqyrtimi i kërkesave ankimore të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore” për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. /j.p/