Grupi i PS-së bojkoton seancat për Kodin
Tiranë- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të bojkotojë seancat plenare, deri në momentin që në Kuvend të vijë për miratim dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor. Deklaratën e ka bërë sot kryetarja e grupit kuvendor, Valentina Leskaj, e cila e ka quajtur këtë vonesë, bllokim të njëanshëm dhe jashtë cdo logjike juridike.
Ajo ka theksuar se Kodi është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër, dhe që qëndron në krye të cdo reforme në vend. “Nëse është i interesuar për reforma Kryeministri të zhbllokojë komisionin, të mos bëjë diversion e dyfytyrësi. Pasi ajo që Kryeministri po bën sot me Kodin Zgjedhor është tërësisht e pa moralshme”- tha ajo.
Sipas saj, bllokimi i komisionit për Kodin bëhet me urdhër të kryeministrit, i cili përpiqet ta mbajë peng për arsye të veta private, për motive për të cilat po godet edhe sistemin e drejtësisë.
Leskaj ka kujtuar që me mos miratimin e këtij kodi brenda muajit Dhjetor, zgjedhjet e lira rrezikohen seriozisht. Kështu, rrezikohet seriozisht procesi i listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimt të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre. Pra, në rastin më të mirë, sipas Leskajt, listat paraprake me këtë skenar do të jenë gati në fund të muajit Mars, pra vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Kjo, ka theksuar më tej ajo, do të ngushtojë kohën e rishikimit të listave nga zgjedhësit pasi Kodi e kufizon këtë të drejtë deri në 60 ditë para zgjedhjeve, pra, deri më datën 26 Mars 2009.
Ajo ka kujtuar se rrezikohet formimi i KQZ sipas Kodit të ri. Me skenarin e lartëpërmendur KQZ në rastin më të mirë,do të ngrihet në fund të Shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohe ligji e ngarkon KQZ me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ aktuale nuk mund t’i kryejë.
Dhe së fundi, rrezikohet procesi i pajisjes me përparësi të zgjedhësve me karta ID. Kjo pasi VKM mund të dalë vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjit, si rrjedhim rreth 3-4 muaj përpara zgjedhjeve duke vështirësuar seriozisht procesin.
“Qëllimi i tij është i qartë: Të spostojë vëmendjen nga skandalet e qeverisë së tij dhe kritikat e shumta brenda dhe jashtë vendit për llojin e regjimit që po instalon”- tha Leskaj, duke deklaruar prerë se deputetet socialistë nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit deri sa të vijë në Kuvend për miratim, Dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor.