E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje të reja në Greqi, 10 mijë vetë në protestë

Në Greqi ka patur përleshje të reja mes protestuesve dhe policisë në valën e trazirave që ka përfshirë vendin pas vrasjes së një adoleshenti nga policia.

Demonstruesit gjuajtën bomba molotov mbi forcat speciale të policisë jashtë parlamentit. Policia u kundërpërgjigj me bomba me gaz lotësjellës. Zemërimi është përzierë me pakënaqësi në pjesë të tjera të shoqërisë greke 12 ditë pas vrasjes së 15 vjeçarit nga policia. Protestuesit kërkojnë nga qeveria që të ndryshojë politikën e saj sociale dhe ekonomike.

Kontrollorët e trafikut ajror janë punonjësit e fundit nga sektori publik që kanë nisur grevën. Greva ndërpreu për disa orë fluturimet nga dhe drejt aeroportit të Athinës.

Protestë e dhunshme

Llogaritet se rreth 10 mijë vetë iu bashkuan një proteste në kryeqytet. Protestuesit u mblodhën jashtë ndërtesës së një universiteti dhe marshuan drejt parlamentit, të indinjuar nga vrasja e adoleshentit nga një polic në 6 dhjetor. "Poshtë qeveria e gjakut, varfërisë dhe privatizimeve," shkruhej në një parullë të protestuesve, siaps agjensisë Reuters.

Dhuna shpërtheu në sheshin qendror ku ndodhet ndërtesa e parlamentit, ndërsa protestuesit gjuajtën me bomba mlotov ndërtesën dhe tentuan t'i vinin zjarrit pemës së Krishtlindjeve. Gjatë protestave të mëhershme pema ishte djegur dhe zëvendësuar nga autoritetet.

Gjatë valës së protestave në Greqi rreth 70 persona janë lënduar dhe 400 janë arrestuar.

Qindra dyqane dhe banka janë plaçkitur dhe shkatërruar. Ndërkohë, një polic është paditur për vrasjen e Alexandros Grigoropoulos. Kryeministri Costas Karamanlis i ka hedhur poshtë thirrjet për të lënë postin. (bbc)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›