E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçovë, dorëhiqet Kryetari i LSI-së, bashkohet me PS- në

Hekuran Zeqo jep dorëheqjen si kryetar i LSI-së dhe bashkohet me PS-në.


Kuçovë- Pakënaqësitë ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe veçanërisht pas koalicionit qeverisës PD- LSI, kanë arritur kulmin në qytetin e Kuçovës, ku LSI ka pasur një mbështetje të konsiderueshme.


Kreu i LSI-së së rrethit të Kuçovës, njëherësh ish- kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2007, inxhinieri Hekuran Zeqo, ka deklaruar publikisht dorëheqjen si kryetar i LSI -së për rrethin Kuçovë edhe si anëtar i thjeshtë.


Zeqo ka bërë me dije se do të bashkohet me strukturat e PS-së ku ai ka qenë para se të aderonte në LSI. Vendimin për largimin nga LSI-ja, Zeqo nuk e shikon si një vendim emocional, por e bazon në disa argumente. "Kam mundur të bëjë gjithçka për LSI -në, madje kam sponsorizuar edhe veprimtari, por nuk kisha menduar që kjo forcë politike do të humbiste transparencën dhe të shndërrohej në një parti kulisash.


Veçanërisht pas koalicionit me PD- në u harruan ata njerëz që dhanë kontribut realë dhe në vende pune u emëruan njerëz që nuk kanë pasur asnjë kontribut tek LSI-ja, njerëz pa arsim e me moral të dyshimtë. Kjo metodë pune solli zhgënjim tek anëtarësia dhe përgjegjësia ra mbi mua si kryetar i kësaj force në Kuçovë.", - tha Zeqo për "Shekulli".


Sipas drejtuesit lokalë të LSI -së së Kuçovës, vendimet janë marrë nga qendra e LSI-së në Berat dhe nga përfaqësuesit e partisë në Tiranë, ç'ka ka sjellë mënjanimin e vendimmarrjes së strukturave dhe të vetë kreut lokal.


"Ndihem i fyer që si kryetar i LSI-së së rrethit të Kuçovës, nuk më është marrë asnjë mendim lidhur me zbatimin e marrëveshjes për 20% e pushtetit vendor dhe për emrat e njerëzve që do të përfaqësonin LSI-në këto nivele. Pra, është zhvilluar një politikë pa transparencë, brenda dyerve dhe kulisave të mbyllura hermetikisht.


Kjo ka bërë që të mos vlerësohen aktorët e vërtetë të LSI -së në Kuçovë, por të emërohen persona që nuk kanë as edhe një kontribut minimal në votat elektorale të 28 qershorit", theksoi ai. Zeqo tha se largimi i tij nuk është një rebelizëm për interesa personale, por një reagim për të mos komplikuar sëmundjen e kësaj partie, nga e cila ai ka zgjedhur shkëputjen.


Bashkë me Zeqon do të largohen edhe disa kryetarë organizatash, të cilët mbështetën deklaratën e ish kreut të tyre, deklaratë kjo e bërë në një takim ku ishte i pranishëm edhe deputeti i LSI- së për Qarkun e Beratit Nasip Naço. Mësohet se Naço e ka cilësuar largimin e kreut lokal të Kuçovës si një zgjedhje të tij dhe nuk ka harruar që të shpreh konsiderata për punën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›