E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i të rinjve në “detin” e të papunëve

Sfida më e madhe e së majtës shqiptare, si qeverisëse e re e vendit, do të fi llojë në shtator, kur të marrë zyrtarisht pushtetin.
Ajo padyshim nis me realizimin e premtimeve të mëdha elektorale, për të dalë nga qarku i demagogjisë elektorale dhe për të merituar votëbesimin që mori. Në fakt, ndër ato premtime elektorale dallohet një masë ndoshta e tepruar optimizmi, por në programin e paraqitur para zgjedhësit ekzistonin jo pak pika praktike të realizueshme.

Një ndër këto pika ishte dhe është punësimi, një pikë nevralgjike për një shoqëri dhe ekonomi të brishtë si kjo e jona. Por nëse qeveria e ardhshme e majtë dëshiron të lërë realisht gjurmë në qeverisjen e vendit, nuk duhet të mbetet thjesht në një qark të ngushtë punësimi selektiv, por duhet të reformojë një pjesë të mirë të mekanizmit punësues, punëkërkues dhe mekanizmit sipërmarrës.

Shqipëria gjithmonë ka pasur dhe ende ka një treg pune shumë problematik. Kapitalizmi hibrid, me një sektor privat të brishtë, jo të vetëmjaftueshëm dhe të pakontrolluar, e ka bërë punësimin në këtë sektor tepër të kufizuar në krahasim me numrin e personave të aftë për punë. Këtë shqetësim në dukje, kryeministri i ardhur Rama e bëri kriter të fiksuar për bashkortakët qeverisës të koalicionit të majtë në takimin e djeshëm me krerët e partive të vogla, duke e theksuar se masa kundër nepotizmit është sipas tij, tepër preventive.

Nga ana tjetër kemi një administratë shtetërore që gjithmonë ka vuajtur klientelizmin, nepotizmin dhe militantizmin partiak, dukuri të cilat ia kanë shpronësuar administratën shtetit dhe ia ka dhënë partisë së radhës në pushtet. Kjo ka kufizuar eficiencën e administratës në radhë të parë, por ka pasur padyshim dhe impakte të tjera tejet negative. Ajo çfarë vlen për t’u theksuar nga këto efekte në planin social dhe ekonomik është zvogëlimi i meritokracisë dhe limitimi i vendeve të punës për të rinjtë e shkolluar, duke futur në një qark të çuditshëm parazitarizmi dhe servilizmi politik më shumë se një brez. Në këto kondita vlen për t’u parë se sa e aftë do të jetë qeveria e ardhshme socialiste për ta ndryshuar këtë situatë apatike.  

Çështja e parë në planin afatmesëm dhe afatgjatë me të cilën do të përballen në planin qeverisës politikëbërësit e 4-vjeçarit të ardhshëm është inflacioni i diplomave. Pikërisht inflacioni i diplomave në treg ka zhvleftësuar një pjesë të madhe të tregut të punës. Kërpudhëzimi i universiteteve private pa kritere të mirëstudiuara dhe me akreditime klienteliste kanë deformuar jo pak sistemin arsimor. Por kanë deformuar jo pak edhe tregun e punës, pasi kanë krijuar një mori personash të paaftë për punë, por të certifikuar si të aftë. Një ndërmarrje e guximshme e qeverisë së ardhshme do të ishte spastrimi i këtyre institucioneve që nuk kanë vlerë arsimore, por kanë vetëm vlerë diplomë-lëshuese. Duke stabilizuar arsimin privat dhe duke rritur parametrat e akreditimit në bazë të cilësisë së mësimdhënies dhe aftësisë së këtyre institucioneve arsimore private, do të vleftësohet përsëri diploma dhe do të krijohet një bazë për meritokracinë.

Përpos problematikës arsimore vlen për t’u theksuar se ndërmarrja dhe hartimi i politikave të ardhshme për punësimin e të rinjve duhet bërë në mënyrë të mirëhulumtuar. Deri më sot hartimi i këtyre politikave është bërë nën një frymë diletantizmi të dëmshëm për ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi. Politikëbërësit e ardhshëm duhet të synojnë disa grupime të ndryshme të aftësh për punë tek të rinjtë. Politikat e ardhshme të punësimit për të rinjtë duhet të kategorizohen në bazë të specifikave të secilit prej këtyre grupimeve. Grupimet të cilave duhet t’u referohen politikëbërësit në përgjithësi janë: të rinjtë me vështirësi integrimi në tregun e punës, si dhe grupi i të rinjve që në anglisht etiketohet “NEET”.  

Individët e grupit “NEET” janë ata që nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as në trajnim (anglisht: neither in employment, nor in education or training). Rreziku më i madh, jo vetëm në planin individual, por mbi të gjitha në planin ekonomik, është shndërrimi i kësaj papunësie në afatgjatë. Duhet pasur parasysh që të rinjtë e këtij grupi nuk janë të përqendruar në Tiranë dhe në qendrat urbane, por përkundrazi, në periferi dhe në qendrat rurale. Projektimi i politikave të punësimit për këtë kategori kërkon largpamësi, në mënyrë që të shënjestrohet zvogëlimi i izolacionimit të forcës punëtore të periferive dhe qendrave rurale. Në këtë vazhdë duhet përforcuar lëvizja e kapitalit investues drejt këtyre qendrave dhe duhet ndihmuar dhe nxitur sipërmarrja individuale, gjë që mungon jo vetëm në qendrat rurale, por edhe në ato urbane.            
                                                                                                                                    
Grupimi i dytë i të rinjve, ai me vështirësi integrimi në tregun e punës, vjen si pasojë e disa shkaqeve, ku dy mendoj se janë më thelbësorët. Pikë së pari është vlera e munguar e edukimit të ndërmarrë. Përmirësimi i sistemit arsimor privat, shpeshherë burimi i diplomave jo të merituara është një pikë që e shtjellova pak më sipër. Shkaku tjetër kryesor i vështirësive të integrimit të të rinjve në tregun e punës është ai i kërkesës së limituar për punë. Në këtë pikë politikëbërësit mund të tregohen të aftë duke vepruar në disa drejtime. Tërheqja e kapitaleve dhe investimeve të huaja dhe rritja e aftësive sipërmarrëse mbeten mundësitë më të mira për të zgjeruar tregun e punës. Tërheqja e kapitaleve dhe investimeve të huaja ndodh vetëm nëpërmjet një sërë politikash ekonomike. Ndërkohë që rritja e aftësive sipërmarrëse realizohet duke vepruar mbi burokracinë e jashtëzakonshme që ka zënë rrënjë në vendin tonë. Njëkohësisht duhen krijuar lehtësimet e nevojshme për sipërmarrësit e rinj. Të gjitha këto janë pika kyçe në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë dhe padyshim që duhen shqyrtuar me kujdes në hartimin dhe implementimin e ardhshëm të politikave të punësimit.
Politikat për punësimin e të rinjve kanë mjaft ndryshime thelbësore në krahasim me politikat e përgjithshme të punësimit. Shpeshherë këto ndryshime neglizhohen dhe politikat e punësimit përgjithësohen, duke u bërë jo vetëm më pak efektive për të rinjtë, por duke minimizuar dhe impaktin pozitiv për grupet e tjera sociale. E rëndësishme në hartimin e këtyre politikave është piketimi dhe përcaktimi real i diapazonit social që synohet të përfitojë nga politikat e reja, duke konkretizuar mundësitë dhe specifikuar mënyrat. Vetëm politika të mirëdetajuara do të japin fryte konkrete. Nëse qeverisja e ardhshme e majtë do të tregohet dritëshkurtër në këtë drejtim, ajo do të marrë përsipër kostot. Kostoja e parë është politike, duke rrezikuar fatin e qeverisë paraardhëse. Njëkohësisht do të mbajë përsipër kostot ekonomike dhe sociale, duke u bërë qeverisja problematike e radhës dhe jo reformatorja dhe progresistja që pretendon të jetë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›