Grupit “Geci” 40 vjet burgim
Sabit Geci, ish-pjesëtar i UCK-së, u gjet fajtor për vrasje dhe keqtrajtim të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1998-99. Ai duhet të vuajë dënimin prej 15 vjetësh burgim, për shkak se, sipas trupit gjykues, ka kryer vrasje dhe keqtrajtim të të burgosurve në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Të premten, trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë shqiptoi dënimet edhe për tre të akuzuarit e tjerë në këtë trast, në një seancë gjyqësore të mbajtur në ndërtesën e Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë. Edhe ata, ish-pjesëtarë të UÇK-së, u dënuan për krime të luftës të kryera në burgun në Cahan.
Riza Aliaj nga Gjakova u dënua me 12 vjet burgim, Shaban Hoti nga Rezalla e Skenderajt me shtatë dhe Haki Rexhepi nga Skenderaj me gjashtë vjet burgim.
Sipas aktakuzës së prokurorit Robert Dean, një grup pjesëtarësh të UÇK-së të cilët në atë kohë i kishin bazat ushtarake në veri të Shqipërisë, disa refugjatë kosovarë që, sipas tyre, bashkëpunonin me Serbinë ose kishin bindje tjera politike që nuk përputheshin me ato të UÇK-së, i ndalnin, i merrnin në pyetje dhe torturonin.
Në një rast dy të rinj i kishin veshur me jelekë antiplumb dhe i kishin qëlluar me armë nga një skuadër qitësish, që vepronin në një bazë ushtarake të UÇK-së në Kukës.
Në aktakuzë, po ashtu, shkruhej se përveç dy të rinjve që i ishin nënshtruar dhunës, një tjetër i burgosur i ishte nënshtruar abuzimit seksual nga personeli i UÇK-së.