Trillime të Serbisë

Mediet serbe kanë raportuar se autoritetet e policisë së Serbisë kanë identifikuar një person serb me dosje kriminale, i cili është i njohur për policinë e Serbisë dhe i cili konsiderohet të jetë përgjegjës për vënien e zjarrit në pikën kufitare në Jarinje.
Ndërkaq, presidenti serb, Boris Tadic, në një intervistë për B92, ka thënë se ekstremistët dhe kontrabandistët serbë dhe shqiptarë janë përgjegjës për sulmin në kufi.
Mirëpo, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës insistojnë se pika kufitare në Jarinje është djegur nga struktura paralele serbe, që udhëhiqen direkt nga Beogradi zyrtar.
Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku ka deklaruar të premten për Express se autoritetet e Serbisë po bëjnë përpjekje të shfajësojnë vetën.
“Tendenca e autoriteteve të Serbisë për të fajësuar një individ të vetëm serb apo grup individësh për sulmet e tmerrshme kundër Policisë së Kosovës dhe pikës kufitare 1 dhe 31, është një përpjekje e mjerë për të shfajësuar vetveten nga veprimet e dhunshme kriminale, të cilat i ka orkestruar vetë”, ka thënë Çollaku.
“Është për të ardhur keq që kreu më i lartë shtetëror i Serbisë, presidenti Tadic tenton të plasojë një trillim të tillë të pavërtetë për të shfajësuar vetën dhe politikën e dhunës që Serbia vazhdon ta aplikoj në raport me Kosovën”, ka shtuar ai.
Këshilltari i Kryeministrit Thaçi thotë se organet e sigurisë në Kosovë, vendore dhe ndërkombëtare, kanë të dhëna të sakta për të gjitha aktivitetet kriminale që janë bërë në Kosovë nga ana e pjesëtarëve të strukturave paralele të Serbisë, të cilat udhëhiqen drejtpërsëdrejti nga autoritetet zyrtare në Beograd.
“Nëse presidenti Serb Tadic konsideron se Borko Stefanovic dhe Goran Bogdanovic janë elemente të krimit të organizuar, atëherë është mirë të pranojë publikisht këtë gjë sepse ne e dimë mirë kush i ka udhëhequr, kush u ka dhënë instruksione grupeve kriminale që vranë një polic të Kosovës, plagosën disa të tjerë, dogjën pikën kufitare 1 dhe kanë bllokuar lirinë e lëvizjes në veri”, ka thënë Çollaku.
Në intervistën për B92, presidenti serb Tadic ka fajësuar edhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell dhe shefin e ICO’së, Pieter Feith, për zhvillimet e fundit në veri.
“Është për t’u befasuar që në Kosovë politikën e zbaton ambasadori i atjeshëm i SHBA’ve, i cili jo vetëm një herë është shquar me deklaratat e tij radikale, si dhe përfaqësuesi i lartë i grupit civil, Feith. Ky është një fakt të cilin duhet ta marrim parasysh, por që nuk do të thotë se krejt administrata amerikane qëndron prapa një aksioni të tillë, gjë që mund të shihet edhe nga deklarata e ambasadores Mary Warlick dhe përfaqësuesve amerikanë pas fillimit të kësaj krize, si dhe deklaratat e përfaqësuesve të BE’së”, ka thënë Tadic.
Duke folur për sulmin në Jarinje, Presidenti serb ka thënë se “është mirë e ditur që struktura kriminale në Kosovë kanë lidhje të fuqishme me Prishtinën”.
Të gjitha pohimet e zyrtarëve serbë lidhur me autorët e dhunës në veri, Çollaku i cilëson si propagandë.
“Nuk jam i befasuar nga këto deklarata të mjera të autoriteteve të Serbisë, të cilat kundërmojnë në një të pavërtetë të madhe. Kjo propagandë është vazhdimësi e propagandës së shekullit të kaluar. Për fat të mirë, askush në botë nuk u beson trillimeve të tilla. Madje, edhe Këshilli i Sigurimit i OKB’së refuzoi kërkesën e Serbisë për seancë të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë”, ka thënë Çollaku.
Ai shtoi se zotimi i Qeverisë së Kosovës është shumë i qartë.
“Ata që po bëjnë krime dhe po shkaktojnë dhunë, do të ballafaqohen me ligjin, pashmangshëm”, ka thënë ai.