E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi ia përsërit dështimet EULEX’it

Nga Express më 30 korrik 2011 në ora 11:39

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kthimi nën kontroll të dy pikave kufitare në veri i jep fund gjendjes së status-quo në këtë pjesë të vendit tonë dhe se në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa shefi i EULEX-it Xavier de Marnack ka thënë se çdo rezistencë është ilegale dhe si e tillë nuk do të tolerohet.

Në një konferencë për media të shtunën pas takimit me shefin e EULEX-it, Xavier de Marnack, kreu i qeverisë së vendit përsëriti edhe një herë se aksioni i Policisë së Kosovës në veri është bërë në baza kushtetuese dhe ligjore, dhe me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në gjithë Kosovën dhe për zbatimin e masave reciproke ndaj Serbisë.

“Durimi ynë është keqkuptuar, e nganjëherë edhe keqpërdorur. Diçka të tillë nuk mund ta toleronim më tutje. Së fundi me vendosmërinë tonë kemi arritur t’i japim fund status-quos të hidhur, e cila ka mbajtur peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri dhe për të mbajtur peng të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë përjetësisht që një pjesë e territorit të saj të mbetet “vrimë e zezë” jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë.

“Që nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është thyer status-quoja, kthim nuk do të ketë prapa. Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në respektimin e plotë të ligjit dhe sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit, në asnjë rrethanë dhe një asnjë mënyrë nuk do të mund të mendohet për ndonjë krim të rastit”, është shprehur Thaçi.

Për më tepër, kryeministri Thaçi ka kërkuar trajtim të merituar nga ana e Bashkimit Evropian në rrugën e saj drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

“Kosova nuk ka asnjë dyshim për rrugën e saj drejt BE-së dhe për faktin se BE-ja ka dështuar të trajtojë Kosovën njësoj sikurse shtetet tjera aspiruese, për anëtarësim Kosova meriton trajtim adekuat, vlerësim sipas standardeve që vlerësohen vendet tjera, dhe inspirim në rrugën e saj evropiane” ka thënë ai

Nga ana e tij shefi i EULEX-it, Xavier de Marnack ka shprehur brengën e thellë për zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se zgjidhja e vetme për zgjidhjen e problemeve është dialogu.

“Ka pas sulme ditët e fundit dhe kjo nuk është e pranueshme. Të gjitha format e dhunës dhe të shqetësimeve nuk do të lejohen. Kjo përfshin prishjen e rendit publikë. Vërej se ka frustrime rreth situatës në veri për mungesë të sundimit të ligjit dhe kontroll doganor. EULEX-i i njeh këto dhe e vetmja formë për të gjetur mënyrën e zgjidhjes është dialogu, ku të dyja palët së bashku mund të zgjidhin. Më lejoni të them se EULEX-i gjithmonë ka mbështetur rikthimin e plotë doganorë në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Marnack ka bërë të ditur se të shtunën në mëngjes ka pasur një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler me të cilin janë pajtuar që EULEX-i dhe KFOR-i të punojnë së bashku, ndërsa tha se çdo rezistencë është ilegale dhe si e tillë nuk do të tolerohet./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›