Ditët e këqia të EULEX’it
EULEX është gjendur në situatë të vështirë ditëve të fundit. Përveç që është injoruar tërësisht nga Qeveria e Kosovës, misioni i Bashkimit Evropian ka qenë plotësisht i çorganizuar dhe ka vepruar si në mjegull, që nga dita kur nisi aksioni i Policisë së Kosovës për vendosjen e masave të kontrollit në veri.
Pasi EULEX kishte refuzuar të implementojë vendimin për masat e reciprocitetit në pikat kufitare veriore, sipas kërkesës së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi kishte urdhëruar aksionin e forcave të rendit. Që nga ai moment, për EULEX-in kishin nisur çastet e vështira.
Burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës se, për shkak të mungesës totale të informacioneve zyrtare se çfarë po ndodhte në veri, zyrtarëve më të lartë të EULEX-it iu kishte mbetur të informohen vetëm nga mediat. Madje, as KFOR-i nuk ishte treguar miqësor për dhënie informatash.
Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ishte në pushim, ndërkaq zyrtarë të tjerë të lartë të misionit nuk po arrinin fare të kontaktonin as me kryeministrin, as me ndonjë zyrtar tjetër të lartë. “Thjesht, ata nuk ua hapnin telefonin”, tha për gazetën një burim nga Qeveria.
Duke e parë se po injoroheshin plotësisht si nga Qeveria, ashtu edhe nga KFOR-i, zyrtarë të lartë të EULEX-it kishin filluar një lloj imponimi, si akterë në zgjidhjen e problemit. Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, ishin treguar mjaft të ashpër të mërkurën, duke kërkuar që EULEX ta shtrijë autoritetin në gjithë territorin e vendit ose askund. Këto deklarata i kishin shqetësuar shumë shefat e misionit. Burimi nga Qeveria thotë se nëpërmjet një “ndërmjetësuesi”, ata kishin kërkuar nga udhëheqësit e ekzekutivit që misioni “të kursehet” nga kritikat publike. Kjo kishte bërë që në paraqitjen e mbrëmjes, kryeministri fare të mos e përmend EULEX-in, por në anën tjetër ta falënderojë KFOR-in.
EULEX ishte gjendur i papërgatitur dhe i painformuar edhe të mërkurën mbrëma, kur serbët dogjën pikën kufitare në Jarinje. Pasi që zyrtarët e vet u larguan me makinat zyrtare drejt territorit të Serbisë, duke mos pasur mundësi të ndërmarrin diçka për të penguar djegien e pikës kufitare, qendra në Prishtinë nuk kishte informacione zyrtare çfarë po ndodhte. Thjesht, nuk kishte kush t’i informonte. Prapë shpëtim ishin mediat, që informonin vazhdimisht për situatën.
Problemet në komunikimin e EULEX-it me institucionet e Kosovës i konfirmojnë edhe zyrtarë të këtij misioni. Shefi i Zyrës për Informim të EULEX-it, Nicholas Hawton, tha për Express se deri para dy ditësh, kontaktet e tyre me institucionet vendore ishin të limituara.
"EULEX ishte i hapur të flasë, por pala tjetër nuk ishte e gatshme", tha ai. Ndërkaq, gjatë dy ditëve të fundit, kontaktet me institucionet kosovare, sipas tij, janë përmirësuar. "Në dy ditët e fundit kemi komunikim me nivele të ndryshme".
Duke u përpjekur që, megjithatë, të ketë një pjesë përgjegjësie dhe veprimi në zhvillimet e fundit, EULEX ka provuar të krijojë përshtypjen se gjithçka është në rregull. Zëvendësshefi i misionit, Andy Sparks, ka marrë pjesë në takime të KFOR-it me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësues të strukturave paralele të veriut, ndërkaq është bërë e ditur se misioni ka nisur edhe hetimet për ngjarjet e fundit, respektivisht vrasjen e policit Enver Zymberi dhe djegien e pikës kufitare në Jarinje.
Këshilltari kryesor i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë në një intervistë për Express se qasja e EULEX-it duhet të ndryshojë menjëherë. “EULEX nuk mund që të përdorë forcë enorme policore për bastisjen e një lokacioni në qendër të Prishtinës, ndërsa të lërë në mëshirë të bandave kriminale pikën 1 dhe 31. Unë jam i sigurt se EULEX do të nxjerrë shumë mësime nga ndodhitë e fundit”, është shprehur ai.
Edhe të enjten zyrtarë të EULEX-it nuk janë treguar se janë “në krye të detyrës”, në misionin e tyre. Vetëm pak kohë pasi shefi i Zyrës për Informim, Nicholas Hawton, kishte këmbëngulur nëpërmjet një deklarate se në pikat kufitare veriore gjenden vetëm pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë Speciale të EULEX-it, ndërkaq nuk ka as policë e as doganierë të Kosovës, komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler kishte deklaruar se në pikën 31 në Brnjak ishin vendosur zyrtarë të Doganave të Kosovës.
Por, jo vetëm EULEX është gjendur si në mjegull ditët e fundit. Hiç më mirë nuk i ka pasur punët as Përfaqësuesi Special i BE-së, Fernando Gentilini. Përveç që kishte lëshuar një komunikatë, nëpërmjet të cilës dënonte dhunën, ai u ishte imponuar tri televizioneve nacionale kosovare, të martën mbrëma, me leximin e një deklarate të shkurtër. Burime nga RTK, KTV dhe RTV 21 kanë bërë të ditur se ata janë thirrur nga zyra e tij dhe është kërkuar që t’i mundësohet Gentilinit qasja në emisione nëpërmjet telefonit, “sepse ka diçka për të thënë”.