Guardiola nuk e fsheh: Me Arsenalin, ndeshja e vitit
Barcelona ka hyrë në javën më të rëndësishme të sezonit. Katalanët do të luajnë dy ndeshje vendimtare: sot ata zbresin në fushën e lojës përballë Arsenalit, me synimin për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League, ndërsa në fundjavë i pret supersfida me Realin e Madridit, “El Clasico”. Megjithatë, Pep Guardiola nuk ka asnjë dyshim se cila prej dy sfidave është ajo që kërkon më shumë vëmendje. “Mendoj se fituesi i La Ligas nuk do të përcaktohet në Madrid, në ndeshjen kundër Realit”, pohoi drejtuesi i stolit “blaugrana”. “Ndeshja më e rëndësishme e vitit është ajo në Champions. Në futboll ka gjithmonë përballje vendimtare, të cilat përcaktojnë fatin e një sezoni dhe ajo kundër Arsenalit është një prej tyre. E shoh si një finale të vërtetë, ndërsa sfida në ‘Santiago Bernabeu’ nuk është e tillë”. Skuadra zbret në “Kamp Nou” pas barazimit 2-2, të regjistruar në takimin e parë në “Emirates Stadium”. Barça dhe Arsenali ishin ndeshur edhe në finalen e Champions-it në vitin 2006 në Paris: spanjollët fituan 2-1, falë golave të Eto’o dhe Beletit, që përmbysën avantazhin e “topçinjve” me Kampbëll. Në atë rast, anglezët luajtën thuajse gjithë takimin në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Jens Lehman në minutën e 18. Dy skuadrat kanë luajtur përballë njëra-tjetrës edhe në fazën e grupeve të edicionit 1999-2000: 1-1 në Barcelonë dhe 4-2 për katalanët në Londër. Arsenali kërkon kualifikimin e tretë në gjysmëfinalet e Champions-it, ndërsa Barça synon të arrijë kuotën 11. Në përballjet me eliminim të drejtpërdrejtë kundër skuadrave spanjolle, “topçinjtë” janë kualifikuar pesë herë, ndërsa kanë dështuar vetëm në një rast. Në anën tjetër, në sfidat e dyfishta me anglezet, Barça ka fituar tetë herë dhe ka dalë e humbur në nëntë raste.
Edhe pse në letër cilësohet si një ndeshje spektakolare, dy skuadrat vijnë në këtë duel të përgjysmuara nga dëmtimet. Te Barcelona mungojnë të dëmtuarit Ibrahimoviç e Pike, ndërsa Pujol është i skualifikuar. Jaja Ture pritet të luajë në qendër të mbrojtjes, edhe pse pësoi një dëmtim të lehtë në ndeshjen kundër Atletik Bilbaos, ndërsa përkrah tij do të aktivizohet njëri ndërmjet Rafael Markez ose Gabriel Militos. Arsenali do të jetë pa Fabregas, Arshavin dhe Van Persin (mungon prej shumë javësh) në repartin ofensiv, ndërsa mungesës së mbrojtësit Uilliam Gallas i shtohet edhe ajo e mesfushorit Aleks Song. Arsen Venger do të mbështetet te Bendtner, Nasri dhe tek i riu Teo Uallkot, megjithatë, trajneri shprehet optimist për të marrë një rezultat pozitiv. Sipas francezit, edhe pse katalanët janë skuadra më e mirë e momentit, ata mund të mposhten. “Barça dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes së parë, por nuk është e thënë që ata mund të luajnë gjithmonë kaq mirë. Kemi shanset tona, duhet të jemi më të kujdesshëm për t’i shfrytëzuar. Na pret një sfidë e vështirë, por Arsenali synon të fitojë Champions-in dhe për ta realizuar këtë objektiv duhet të mundim ekipet më të forta”, deklaroi Venger.
#