Shnajder dëmtohet në kavilje, në dyshim për sfidën me CSKA
Shumë frikë për Uesli Shnajder, i cili ka pësuar dje një dëmtim tjetër në kaviljen e djathtë gjatë ndeshjes së kontrollit, që i paraparin sfidës së kthimit për çerekfinalet e Champions League kundër vendasve të CSKA-së. Fantazisti holandez ishte dëmtuar pikërisht në të njëjtin vend një javë më parë, në fund të ndeshjes së parë ndaj rusëve, gjë që e detyroi ish-futbollistin e Realit të Madridit të mos e niste si titullar ndeshjen e Serisë A kundër Bolonjës, por të futej në fushë në 20 minutat e fundit. Holandezi, i goditur ashpër në këmbën e djathtë nga shoku i skuadrës, Sulei Muntari, u rrëzua përtokë dhe u desh ndërhyrja e stafit mjekësor të Interit. Mesfushori, pas pak minutash ka hequr të dy këpucët dhe ka braktisur terrenin e lojës, duke ecur në rregull, por me një pamje në fytyrë shumë të mërzitur, që tregonte të kundërtën. Prezenca e tij për ndeshjen shumë delikate ndaj njerëzve të Slutski është vërtet në dyshim. Këtë e konfirmon edhe vetë Murinjo, i cili gjithsesi uron që sot në mbrëmje të Shnajder të jetë i gatshëm. Murinjo ka folur gjithashtu edhe mbi dyshimet se fusha me bar sintetik mund të jetë një dizavantazh për skuadrën e tij. “Fusha me bar artificial është plot dizavantazhe për ne. Nëse Champions, akuzon ai, ka nisur me 31 skuadra, që luajnë në bar natyral dhe një në bar sintetik, janë 31, që po ecin në rrugën e gabuar, ose gabimi është CSKA-ja? Ndeshja do të ishte shumë më e bukur në një fushë natyrale”. Vjen edhe reagimi i trajnerit të CSKA-së, që nuk e përtyp dot idenë se Interi mund të penalizohet, sepse nuk është ambientuar të luajë në barin artificial të stadiumit “Luzniki” të Moskës. Leonid Slutski tenton të sqarojë gjithçka: “Nuk besoj se fusha sintetike na favorizon. Mjafton të shikosh ndeshjet që kombëtarja ruse ka luajtur në këtë fushë dhe të vëresh pastaj se si sillen skuadrat ruse në stadiumet europiane: nuk më duket se ka ndonjë ndryshim të madh”. Por me barin sintetik, Interi vërtet nuk është mësuar me bar sintetik. Dhe mundi të testojë ndryshimin vetëm në stërvitjen e djeshme. CSKA duhet të rikuperojë një gol. Slutski nuk fshihet: “Më mirë të lëmë mënjanë spektaklin dhe të mendojmë për rezultatin. Sigurisht duhet të shënojmë dhe për ta bërë do të duhet të jemi më agresivë përpara. Por pa harruar mbrojtjen”. Ndërkohë Murinjo flet me krenari për Interin e tij “të pangopur”: “Nëse kualifikohemi ne dhe Bajerni i Mynihut, do të bëhemi dy skuadrat e vetme që mund të fitojnë në tre kompeticione”.
#