Zëvendësimi i çuditshëm i Salihit
Një fakt i çuditshëm ka shoqëruar aktivizimin e sulmuesit shqiptar Hamdi Salihi në ndeshjen e luajtur të shtunën në shtëpi nga Rapidi i Vjenës përballë Austria Karnten. Takimi përfundoi 1-0 për skuadrën e bomberit kuqezi, i cili ka qëndruar në stol, për t’u aktivizuar në minutën e 68 në vend të Trimelit. Por për çudinë e të gjithëve, pas vetëm 18 minutash, kur Salihi kishte mundur ta prekte topin vetëm katër herë, trajneri i ka bërë shenjë sulmuesit për ta zëvendësuar. Në vendin e tij, në minutën e 90, ka hyrë mbrojtësi Patoka. Një gjë e tillë ka ngritur shumë pikëpyetje. Hipoteza e parë ka të bëjë me faktin se tekniku Pakult mund të ketë menduar të mbrojë rezultatin. Por nuk përjashtohet si hipotezë edhe një irritim i trajnerit me Salihin, i cili në minutën e 79 humbi një rast të pastër për të shënuar, gjë që do të konfirmonte një marrëdhënie jo të mirë mes tyre. Ndërsa një statistikë interesante e shoqëron Salihin: u ka shënuar të gjitha skuadrave në këtë sezon, përjashto pikërisht Austria Karnten.
#