E Diel, 1 Nëntor 2026

Guidat turistike, variacion i pushimeve

Mbrëmjet kalojnë mes kërcimeve dhe tingujve të polifonisë në sheshpushimet e shumta të ishullit të Vidhos. Ndërsa ditët mbushen me vizita në pika historike, turistike e objekte kulti, me të cilat lidhet historiku i vetë ishullit të Korfuzit. E tillë ka qenë vizita në kishën e Shën Spiridhonit, i njohur si shenjtori i ishullit, që thonë se ka bërë e vazhdon të bëjë mrekulli edhe në shenjtërinë e tij. Në këtë kishë, nga më të mëdhatë e më të famshmet që ka qyteti-ishull, jo vetëm të dielave, por edhe në çdo ditë të javës, duhet të bëhesh pjesë e radhëve të gjata të grupeve të shumta turistike dhe të vendasve, që të mund të mbërrish atje ku trupi i shenjtorit mbahet i paprishur. Në orë të caktuara zbulohet fytyra e tij e besimtarët dhe vizitorët marrin dritë, besim dhe bekim nga vështrimi i shenjtorit Spiridhon. Te secili mbetet efekti sugjestionues dhe supersticioz i vizitës në këtë kishë, që konsiderohet si një takim me njeriun e bërjes dhe sjelljes së mrekullive në këtë botë. Edhe pse mund të kesh qenë edhe herë tjetër në Paleokastricë, çdo vajtje në vendin që mbahet si margaritari i turizmit që ofron Korfuzi, të mbetet në kujtesë. Paleokastrica, që e përkthyer në shqip do të ishte kështjellëza e vjetër, është nga ato vende që të mbush qysh sa nis të shfaqet për së largu. Gjire deti dhe shkëmbinj si të mbirë mbi blunë e detit, vezullim i rrezeve diellore, rrugica në të cilat tregtarët vendas, por edhe bullgarë, aziatikë e afrikanë, ofrojnë lloj-lloj suveniresh për turistët që nuk pushojnë, duke nisur nga kartolinat, deri tek pikturat erotike dhe punët e gdhendura në dru bambuje.

Manastiri që ngrihet në Paleokastricë tërheq gjithashtu mijëra vizitorë në ditë, të cilët nuk janë domosdoshmërish besimtarë. Datimi i këtij manastiri i vitit 1228 dhe konceptimi i tij si një muze i kohës që i përket, është një histori, të cilën secili ka dëshirë ta prekë me dorë. Ndalesa e parë është në oborrin e brendshëm të manastirit, atje ku një mur i gurtë në formë ovale, le të hapur një si grykë pusi. Një pus i vërtetë, jo më pak se 5 metra i thellë, në fundin e të cilit, më shumë se ujë, shihen monedha metalike. Besimtarë ose jo, njerëzit që vizitojnë manastirin, falen dhe falin, duke e shoqëruar tingullin e rënies së metalit me dëshirën që secili ka më të madhen e më të shenjtën për veten dhe familjarët e vet.

Të tjera vlera të rralla shfaq Manastiri i Paloekastricës. Duke nisur që nga vjetërsia në kohë e ikonave që veshin sallën e lutjeve dhe nxitin dëshirën për të marrë bekimin e tyre. Pjesë e manastirit të famshëm është edhe biblioteka e vjetër sa vetë manastiri, por edhe eksponatet ku ekspozohen mënyrat më artizanale të nxjerrjes së vajit, kampionët e parë të sapunit tradicional dhe verërat e vjetruara në shishet në forma antike. Të gjitha transmetojnë një forcë dhe energji mitike dhe vetëpastruese, që bëjnë të ndjehesh më i lehtësuar në shpirt dhe me më shumë mirësi në vetvete.

Paleokastrica bashkon në një detin me malin, në një terren që vjen e bie gati pingul mbi det, në lartësinë jo më pak se 700 metra mbi nivelin e detit. Inxhinier Kosta, i dërguari i bashkisë së Korfuzit në ishullin e Vidhos, përgatit për një tjetër surprizë të këndshme të udhëtimit nëpër bukuritë dhe befasitë e Paleokastricës. Ai propozon një ndalesë dhe një kafe në lokalin që ngrihet në pikën më të lartë, që nga Paleokastrica shihet si ta kesh në pëllëmbë të dorës. Kjo jep të tjera kënaqësi.

Në anën tjetër të ishullit të Korfuzit shikimi ndalet mbi një ishull të vogël poshtë lagjes "Kanoni" (Topi) të Korfuzit. Një rrip toke, në të cilën ka edhe ndërtime karakteristike, përfundon me një zgjatim, në formën e një bishti. Për shkak se i gjithë ky ishull së largu jep imazhin e një miu, ai quhet as më shumë e as më pak, por Ishulli i Miut. Shumë pranë tij shtrihen pistat e aeroportit ndërkombëtar të Korfuzit, ku mësojmë se gjatë verës avionët e udhëtimeve turistike ulen e ngrihen çdo 5 minuta, derisa vjen 20 tetori dhe ai pushon së funksionuari si aeroport ndërkombëtar. Edhe në çastet e vizitës së grupit tonë atje, mbi kokat tona fluturoi avioni i radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›