Ndërkombëtarët izolojnë Ramën, i kërkojnë ndërprerjen e bojkotit
BE dhe OSBE në të njëjtën ditë kanë folur pa gjuhë diplomatike, duke i kërkuar Edi Ramës të kthejë deputetët e tij në parlament e të ndërpresë bojkotin, si e vetmja zgjidhje demokratike, që mund të bëhet nga një parti, e cila ka mbetur në opozitë, pas zgjedhjeve të çertifikuara të 28 qershorit
Ambasadori i OSBE-së Bosch takon zv/kryeministrin Ilir Meta: “Rezultati i zgjedhjeve është në rregull, duhet të pranohet nga të gjitha palët”/Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Ambasadori Robert Bosch, ka konfirmuar se zgjedhjet e 28 qershorit, janë plotësisht të rregullta dhe se palët duhet të pranojnë rezultatin përfundimtar. Gjatë një takimi të zhvilluar me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, Bosch, pasi e uroi për marrjen e mandatit të tij, vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe konsultimit të ngushtë që karakterizon marrëdhëniet mes Pranisë dhe institucioneve të Shqipërisë. Ai u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me qeverinë dhe me opozitën për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Njëherazi, duke shprehur të njëjtin qëndrim, Meta dhe Bosch, i bënë thirrje opozitës që t’i drejtohet sallës së Kuvendit, pasi diskutimet dhe aprovimi i rekomandimeve të ndërkombëtarëve, mund të bëhen vetëm në këtë institucion. Gjithashtu, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, hodhi poshtë si jo normale, kërkesat e opozitës për hapjen e kutive, pasi sipas tij, porsa kohë janë përdorur të gjitha rrugët ligjore, rezultati është i rregullt dhe duhet të pranohet.
Meta: Qeveria mbetet e angazhuar të bashkëpunojë me OSBE/Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikë së Shqipërisë, z. Ilir Meta, garanton OSBE-në se qeveria është e gatshme që të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë me këtë organizëm. Këtë, Meta ia shprehu dje kreut të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, duke shtuar se bashkëpunimi i frytshëm është në përputhje me prioritetet dhe nevojat e vendit, si dhe realitetin e ri ndërkombëtar të Shqipërisë, në vijim të anëtarësimit në NATO dhe aplikimit për t’u anëtarësuar në BE. “Dua të konfirmoj edhe një herë vullnetin e qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, ku Shqipëria është një vend anëtar tepër aktiv dhe në mënyrë të veçantë me Prezencën këtu në Tiranë dhe me ambasadorin Bosh dhe ekipin e tij, që ne të ecim përpara në të gjitha drejtimet e bashkëpunimit të deritanishëm”, u shpreh Meta.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e falënderoi ambasadorin Bosh për kontributin që ka dhënë OSBE dhe ODIHR, në mënyrë të veçantë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat u vlerësuan në mënyrë më pozitive edhe nga raporti i ODIHR-it, ku natyrisht u bënë edhe shumë sugjerime për të përmirësuar edhe më tej standardet për zgjedhjet në të ardhmen, që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë standardet më të larta.
“Me këtë rast unë e sigurova edhe një herë ambasadorin Bosch për vullnetin e qeverisë, të shprehur edhe nga Kryeministri Berisha, duke bashkëpunuar ngushtë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë të veçantë me opozitën në Shqipëri dhe me të gjithë faktorët e tjerë, që të gjitha këto rekomandime të jenë pjesë e një plani për veprim, i cili do të garantojë që zgjedhjet e tjera të jenë të standardeve më të larta të vendeve më të zhvilluara të Evropës”, deklaroi më tej Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta. Në fund të bisedës Meta ripërsëriti edhe njëherë angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar të gjitha rekomandimet e raporti të ODIHR-it, për arritjen e standardeve më të larta zgjedhore.
Bosch: Reformat bëhen në parlament, opozita duhet të jetë aty/Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Robert Bosch, i apeloi opozitës që debatet e saj politike, t’i orientojë drejt institucionit të Kuvendit. Gjatë konferencës për shtyp, pas takimit me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, Bosch shprehu vullnetin e OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë në integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. “Kishim një takim shumë pozitiv dhe unë shpreha edhe një herë vullnetin e OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë në integrimin e saj në strukturat euroatlantike”, tha Bosch. Ai garantoi se OSBE është gati për të mbështetur Shqipërinë në rast se kërkohet për të ndihmuar Qeverinë si dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it. “Për ta bërë këtë, opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament”, u shpreh Bosch, duke iu adresuar palës opozitare dhe bojkotit të parlamentit nga ana e tyre.
Kreu i prezencës së OSBE-së vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me ish ministrin e Jashtëm Lulzim Basha dhe uroi që ky vullnet të pasohet edhe me pasardhësin Meta. “Kështu ne mirëpresim bashkëpunimin dhe ne shpresojmë dhe besojmë se do të jetë po aq i mirë sa edhe me paraardhësin e Meta. Ne shpresojmë se ju do t’i afroheni Evropës sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Bosch.
Në përgjigje të interesimit të medias se opozita kërkon rinumërimin e votave në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe nëse kjo është një kërkesë ligjore nga ana e opozitës, kur ajo e quan këtë edhe një kusht për pjesëmarrje në parlament Bosch u përgjigj se mjetet ligjore janë konsumuar dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull. “Së pari nuk jam këtu si jurist ose si përfaqësues i gjykatës kushtetuese, por me sa e gjykoj unë, të gjitha mjetet ligjore janë përdorur dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull”, konfirmoi Bosch.
Pak ditë më parë OSBE/ODIHR, publikoi raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, duke i vlerësuar ato si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Por, pavarësisht se arbitri ndërkombëtarë i certifikon zgjedhjet e 28 qershorit dhe rezultatin final të 1 gushtit, pala opozitare, më konkretisht Partia Socialiste, vazhdon t mbetet peng i disa ecejakeve absurde dhe të bazuara në interesa personale të kreut të saj, Edi Rama. Kësisoj, mos prezenca e opozitës në parlament, jo vetëm që penalizon realizimin dhe ndërmarrjen e reformave, por njëherazi bëhet edhe “ushqim” për imazhin e keq politik të vendit.
Reagon ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan: “Nuk inkurajojmë bojkotimin e PS-së, debati bëhet vetëm në parlament”/Bashkimi Evropian kritikon qëndrimin e opozitës, për marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin dhe i bën thirrje që të futjet sa më parë në rrjedhat e një jete parlamentare normale. Përveç deklaratave mbështetëse për futjen e deputetëve socialistë në Kuvend nga përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë ditët e fundit, i njëjtë duket se ka qenë edhe reagimi i ambasadorit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan. Pas punimeve të një konference me temë “Lufta kundër pastrimit të parave të pista dhe krimit financiar”, e zhvilluar në Durrës, Lohan iu referua situatës së fundit politike në vend, duke u përqendruar kryesisht te bojkoti i opozitës. Në këtë kuadër, Lohan u shpreh se debati politik zhvillohet brenda institucioneve demokratike. “Komisioni Evropian e ka shprehur qartë qëndrimin e tij se debati politik zhvillohet brenda institucioneve demokratike”, u shpreh ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan.
Kësisoj, vendimi i Ramës për të bojkotuar parlamentin nuk gjeti që në krye të herës mirëkuptimin e ndërkombëtarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe mjaft institucione ndërkombëtare e përfaqësues të tyre e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kundër braktisjes së parlamentit.
...