E Diel, 1 Nëntor 2026

Proletarizimi i universiteteve Nga Xhovani Shyti“Zhurmë, dezinformime, keqkuptime, moskuptime, inate, kërcëllitje dhëmbësh, arrogancë, e-mail-e kërcënuese, presione fizike, telefonata anonime që vazhdojnë pa mbarim nga pushtetarë, gazetarë, individë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Proletarizimi i universiteteve Nga Xhovani Shyti

“Zhurmë, dezinformime, keqkuptime, moskuptime, inate, kërcëllitje dhëmbësh, arrogancë, e-mail-e kërcënuese, presione fizike, telefonata anonime që vazhdojnë pa mbarim nga pushtetarë, gazetarë, individë të caktuar, grupe interesi e gjithfarë zuzarësh e rrugeçërish politikë, institucionalë e mediatikë, të pakënaqurish, të korruptuarish, dallaveraxhinjsh e sekserësh, sikur ne jemi kriminelë dhe jo institucion akademik, i cili përpiqet me të gjitha resurset e veta potenciale, intelektuale e materiale që ta transformojë UV në një universitet modern…”.

Kjo është situata që sundon këto ditë të paraçeljes së edicionit studentor 2009-2010 auditorët e Universitetit shtetëror të Vlorës. Shkak është bërë një konflikt midis Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe stafit drejtues të UV, i cili ka urdhëruar që kufiri minimal i notës mesatare që duhet të ketë kandidati për të merituar një vend studimi në auditorët e UV nuk duhet të jetë nën 6. Pikërisht mos-regjistrimi i studentëve me notë mesatare nën 6 ka ndezur zhurmën dhe konfliktin. Çuditërisht, jo vetëm midis kandidatëve të përjashtuar dhe Rektoratit (gjë normale kjo, po të kihet parasysh rrumpalla e derisotme për t’u pranuar në universitete), por midis palëve të njëjta. Në sensin që të dy grupet e konfliktuara i përkasin së njëjtës strukturë shtetërore mësimore: Drejtorisë së Arsimit të Lartë të MASH dhe Rektoratit të UV. Edhe pse Rektorati i këtij të fundit argumenton se marrja e vendimit nga Senati, për vendosjen e mesataren mbi 6, bazohet në Ligj, burokracia e MASH e kundërshton këmbëngulshëm duke urdhëruar mosnjohjen e këtij vendimi dhe thellimin e konfliktit. Në këto kushte, në një analizë të publikuar në dt. 25 shtator 2009, Prof. As. Jorgo Mandili, pjesëtar i stafit akademik, të Universitetit të Vlorës, nënvizonte: “…Në të gjitha deklarimet e MASH dhe të medieve që e mbështesin nuk përmenden fare standardet akademike, niveli shkencor, por vetëm masivizmi, populizmi, dy arsyet kryesore që po e shkatërrojnë edhe atë çka mbetur nga arsimi i lartë”.

Pikërisht këtu duam të ndalemi. Te politika e masivizimit të studimeve universitare, që prej vitesh përbën strategjinë qeverisëse të stafeve burokratike zyrtare. Me këtë politikë arsimore, të zyrtarizuar ironikisht si: “Meritë-preferencë”, synohet masiviteti universitar, proletarizimi i tempullit më të lartë të dijes. Një nonsens ky për një shoqëri që pretendon se është futur në rrugën kapitaliste, ngaqë proletarizimi i shoqërisë është kolonë bazë për regjimet komuniste.

Deri më sot qeverisjet e të dy krahëve të politikës kanë synuar prodhimin e të diplomuarve, sipas këtij parimi. Por ajo që të habit është këmbëngulja e dikasterit shtetëror për ta vazhduar ende këtë proletarizim, madje duke kërcënuar, një grup akademikësh që të inkurajuar prej asaj çka kanë ndeshur në Perëndim, kërkojnë ta implementojnë në tempullin e lartë të dijes së qytetit të tyre. E çfarë synon ky grup akademikësh? Mbi të gjitha de-proletarizimin. Zhbërjen e praktikës së derisotme universitare që, ndonëse nxjerr në ballë “Meritë-preferencën”, nuk respekton as njërën e as tjetrën (të meritosh atë që preferon duke përballuar çdo sfidë që të vihet para), por funksionon sipas parimit: gjithë populli me UT. Pa u merakosur fare se do të vijë një ditë, kur Shqipëria do të përbëjë sërish tokën e “çudirave kapitaliste”, ngaqë i gjithë populli do të jetë me shkollë të lartë. Për të shmangur këtë të ardhme proletare Senati i UV, duke respektuar edhe Ligjin në fuqi, i ka hapur dritën jeshile strukturës drejtuese të veprojë sipas praktikave që garantojnë standardet perëndimore, ku universitetet konsiderohen tempuj të diturive, nga auditorët e të cilave dalin elitat e vërteta.

Proletarët nuk kanë vend nëpër këto auditorë, jo se stafet e tyre akademike aplikojnë metodologjinë e racizmit, por sepse jo çdo qenie njerëzore është gjenetikisht e aftë të përbëjë elitën e një vendi. Po të analizojmë strukturën e një shoqërie kapitaliste demokratike do të grafikonim se ajo është e përbërë nga përfaqësia e elitave dhe nga proletariati. Dallimi midis tyre nuk qëndron vetëm në faktin se sa të pasur janë përfaqësuesit e njërës klasë dhe sa ata të klasës tjetër, por nga vlerat intelektuale që ata mbartin. Nga vlefshmëria intelektuale e individëve të tyre përbërës. Këto vlera intelektualizmi merren dhe zhvillohen gjatë edicioneve arsimore, që grupet e individëve ndjekin, nga dashuria që njeri dhe tjetri individ grupi ka për literaturën etj., dhe arsimi i lartë është sita nëpër të cilin kalojnë të de-proletarizuarit.

Në këtë betejë intelekti mesatarja është prova e parë që duhet të kalosh për t’u futur në auditorët universitarë perëndimorë. Madje jo vetëm tek ata më prestigjiozët, italianë, francezë, anglezë, zviceranë, gjermanë, grekë, amerikanë etj., por edhe tek universitete që funksionojnë në vende të tilla si Zambia, Kenia, Singapori, Botsvana, Kajro,Turqi, Iran etj., e që funksionojnë sipas parimit: Kush nuk kalon pragun dysheme të mesatares së notës, nuk hyn në universitet. Sa më prestigjioz të jetë universiteti, aq më i lartë është pragu i mesatares, që së bashku me pagesat e tarifave të majme e bëjnë të pamundur futjen në tempullin e elitave të çdokujt.

Duke marrë pikë referimi këtë praktikë standarde, vendosja e mesatares 6 nga ana e rektoratit të UV është hapi i parë i përpjekjes për të dalë nga ky proletarizim universitar. Për këtë nismë ai duhet përshëndetur dhe inkurajuar nga struktura përgjegjëse e shtetit, MASH. Sepse është një shembull edhe për universitetet dyer-shqyera private, nga ku, për hatër të pagesave, është e ndaluar të fyesh me mbetje në klasë “proletarë - dokerët” që brenda tre vjetëve përfundojnë të laureuar në dy fakultete, duke patur brenda edhe gradën shkencore master. Në fund të fundit, me sipërmarrjen e tij këmbëngulëse, stafi drejtues akademik i Universitetit të Vlorës nuk po bën tjetër veçse po guxon të ndërmarrë një iniciativë, që në fakt i takonte ta ndërmerrte MASH dhe Rektorati i Lartë i UT-ve: de-proletarizimin. Po hedh hapin e madh të krijimit të elitave dhe shtresëzimin e shoqërisë shqiptare, sipas meritave intelektuale dhe jo preferencave politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›