E Diel, 1 Nëntor 2026

Junta masakron dhe përdhunon 150 civilë të opozitës

Rreth 150 persona janë vrarë kur forcat ushtarake të Guinesë kanë hapur zjarr ndaj protestuesve të opozitës, që kishin dalë në protestë. Fillimisht u vranë 87 persona, por më pas numri i viktimave civile ka ardhur duke u rritur. Sipas raporteve të grupeve të të drejtave të njeriut, ushtarët kanë hapur zjarr ndaj personave të paarmatosur dhe i kanë goditur ata me bajoneta në mënyrë të pamëshirshme. Veç kësaj, gratë janë zhveshur dhe përdhunuar në masë në mes të rrugës dhe në sy të të afërmve të tyre. Kjo ka ndodhur ndërsa njerëzit kanë dalë në një protestë anti-qeveritare. Shefi i juntës ka mohuar sulmet seksuale, por dëshmitë janë të qarta. Rreth 50 mijë vetë ishin duke protestuar kundër mundësisë së kandidimit të Capt Camaras, shefit të juntës, për President të vendit në zgjedhjet që do të organizohen në janar. Por ushtarët kanë hapur zjarr pa ngurrim ndaj civilëve, duke shkaktuar menjëherë një numër të madh viktimash. Veç të vdekurve ka edhe shumë të plagosur, madje qindra syresh thuhet se janë në gjendje shumë të rëndë. Sipas shefit të juntës, ishte e vështirë që të kontrolloheshin ushtarakët e acaruar nga mësymja e turmës. Për momentin, pas masakrës së madhe, kryeqyteti i Guinesë është i qetë, por pritet shumë shpejt një rigjallërim i forcave opozitare. Ngjarjet e fundit janë dënuar në shkallë botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›