Kryeministri Berisha pret kryetarin e Senatit të Parlamentit të Kanadasë

Kinsella: “Shqipëria, rezultate impresionuese, në 5 vitet e qeverisjes ‘Berisha’”
“Në 5 vite nën lidershipin e Berishës, Shqipëria ka arritur rezultate impresionuese, ndaj dhe ne jemi të interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”. Kështu u shpreh dje kryetari i Senatit të Kanadasë Noel Kinsella, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin e vendit Sali Berisha.
Kreu i qeverisë Berisha, duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë Kinsella, i shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Shqipërisë për të gjitha proceset e zhvillimet dhe integrimit, veçanërisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha, u shpreh se qeveria shqiptare është shumë e vendosur për të forcuar dhe për të çuar më tej marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit.
Nga ana e tij, kryesenatori kanadez, Kinsella falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen, si dhe i përcolli në nisje të bisedës, një mesazh të veçantë nga kryeministri kanadez, Stephen Harper, bashkë me përshëndetjet e tij më të përzemërta.
Ai u shpreh mjaft i kënaqur që marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve janë shtrirë edhe në një bashkëpunim të frytshëm ekonomik, gjithnjë në rritje dhe se disa kompani të mëdha kanadeze, tashmë po punojnë me sukses në Shqipëri.
Kryetari i Senatit Kanadez, shprehu vlerësimin e tij për politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investimet e investitorëve kanadezë që ato të jenë një histori suksesi.
Kryeministri Berisha u shpreh se projekti i dytë madhor për shqiptarët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se qeveria shqiptare po punon për të implementuar të gjitha standardet dhe reformat në këtë drejtim.
Kinsella u shpreh se Kanadaja është e gatshme të ndihmojë në të gjithë ata sektorë që bëjnë pjesë në procesin e integrimit evropian.
Kinsella u shpreh se është impresionuese ajo që ka arritur Shqipëria nën lidershipin e kryeministrit Berisha vetëm brenda 5 viteve. “Kjo inkurajon së tepërmi zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat të cilat bazohen në themele të forta të miqësisë mes dy vendeve”, tha ai.
...