E Diel, 1 Nëntor 2026

"Guliveri", rivjen për lexuesin shqiptar gjatë verës

Personazhi i dashur dhe emblematik për botën e fantazisë fëminore udhëtari i përhershëm i deteve dhe oqeaneve Guliveri , rivjen për lexuesin shqiptar në stinën e nxehtë të udhëtimeve.

Botuesi i "Zenit", Krenar Zeno thekson se penda e një prej etërve të romanit dhe satirës moderne irlandezi Xhonatan Suift është shumë aktuale dhe në mijvjeçarin e tretë.

Janë pikërisht Yahoo -t , personazhet e udhëtimeve të Guliverit të cilat i gjejmë dhe në botën virtuale të internetit në faqen me të njëjtin emër. Pa harruar dhe gjigandët, liliputët apo njerëzit gjysëm kuaj me të cilët Guliveri bëhet pjesë e pandashme përgjatë rrugëtimit detar.

Shqipërimi i mjeshtrit të përkthimit Halit Selfo i vitit 1958, mbërrin së bashku me botën e bukur të ilustrimeve autentike të para qindra viteve në kohën kur jetoi dhe krijoi autori njohur për pamfletet dhe satirat e tij që u shndërruan në referenca për autorët e shekujve në vijim. Përkthyesi Selfo njihet në përkthimin e mbi 40 veprave letrare si"Konti i Monte Kristos" "Djemtë e rrugës Pal" "Zemra" (De Amicis), apo "Bijtë e kapitenit Grant".

Pra, në nisjen drejt aventurave për mbarë pushuesit, duket se bashkëshoqëruesi simpatik dhe fisnik i kësaj vere si shprehet dhe botuesi Zeno me grotesk kuptimplotë është Guliveri për fëmijët nga 1 deri në 1000 ditë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›