E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurë e kapsolla kundër policisë në protestën e shtatë para Ministrisë së Arsimit

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Protesta në ditën e shtatë e të rinjve para Ministrisë së Arsimit kundër klasës politike në vend ka nisur me tensione dhe akte dhune. Pasi janë mbledhur nga drejtime të ndryshme, protestuesit u grumbulluan para ministrisë ndërsa policia ishte pozicionuar në bllok dhe me autobote uji.

Protestues të maskuar kanë hedhur gurë dhe kapsolla në drejtim të efektivëve të Policisë.

Në përgjigje të sulmeve, Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.

Më pas, disa protestues të maskuar kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë përdorur ato për të sulmuar punonjësit e Policisë. Po ashtu, u është vënë zjarri dy koshave që janë vendosur në mes të rrugës, si barrikadë ndaj policisë.

Pas gazit lotjsellës, protestuesit janë larguar nga Ministria e Arsimit duke u zhvendosur në kryqëzim. Policia vijoi të hedhë ujë me presion duke i larguar ata nga rruga. Policia ka kërkuar me megafon lirimin e rrugës nga protestuesit, duke vijuar të ndërhyjë me ujë me presion.

Prej disa ditësh protestat janë shoqëruar me akte të rënda dhune ndërmjet protestuesve dhe policisë. Të rinj të maskuar kanë sulmuar institucionet shtetërore, bizneset private si dhe kanë shkatërruar një pjesë të infrastrukturës publike në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›