E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guri i rëndë në kandarin e historisë

zgjedhjetNga Artan Xh. Duka

Historia përsërit veten

Më 23 qershor votuesi bëri histori dhe tani shansi i jepet qeverisë së rilindjes të bëjë të njëjtën gjë. Sikurse 22 marsi, edhe 23 qershori do të mbahet mënd gjatë dhe nga të gjithë, sepse shoqëria foli me një zë.

Rëndësia e një evenimenti në demokraci nuk mund të matet me metrin partiak ndaj dhe kur ambasadori i respektuar Arvizu analizon 23 qershorin si i dërguari i Perëndimit në këtë tokë, përdor mirëfilltazi metrin demokratik (dhe kush më mirë se amerikanët di ta lexojë atë). Komenti i tij, duke iu adresuar dhe patur në fokus interesin më të mirë të demokracisë dhe mirëqënies së popullit shqiptar, është apriori objektiv dhe i paanshëm dhe nuk ka përse të paragjykohet se synon të gëzojë më tej të gëzuarit apo të trishtojë më tej të trishtuarit e politikës së pas 23 qershorit. Anatemimi deri në ironi i deklaratës në fjalë dhe qasja hajde baba të të tregojë arrat nga syresh në politikë të sapo rënë nga fiku apo me mizë nën kësulë, është trishtues dhe në kësi rastesh, në mos heshtja flori, fjala duhet matur mirë. Sepse 23 qershori bëri vërtet histori teksa:

a)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, verdikti plebishitar dhe panideologjik ritheksoi paekuivok aspiratën për themelet e shtetit të së drejtës dhe normalitetin demokratik vota e lirë, prona tek i zoti, zbatimi i ligjit pa dallim etj të nëpërkëmbura aq gjatë;

b)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, u thye një tabu duke larguar një kastë idhujsh të rremë që po uzurponin çdo pushtet dhe projektonin përjetësi për veten dhe rrethin e tyre duke i dhënë fund reminishencës së monizmit të dikurshëm të partisë-shtet dhe krijuar premisa për pushtete dhe media të pavarura në vënd;

c)       Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, verdikti elektoral, duke zhbllokuar statukuonë, përmbushi pritshmëritë e perëndimit dhe në rradhë të parë SHBA mike, ndaj perspektivës së zhvillimeve demokratike në vend përballë rasteve të shumta të plangprishjeve dhe testimit të durimit perëndimor në të shkuarën prej akrobacive të pushteteve;

d)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, rishfaqet sërisht shansi i ngjizjes të së djathtës perëndimore në vënd dhe normalizimi i vetë tregut politik;

e)      Më 23 qershor, sikurse më 22 mars, u ndal një spirale e rrënimit ekonomik (humnera buxhetore, konçesione dhe privatizime jo transparente, denatyrim pakthim i pasurive natyrore dhe habitatit urban etj) dhe ofrohen shanse për hartimin e strategjive afatgjata dhe efektive për mirëqënien e mbarë shoqërisë etj.

 Fillimi i mbarë i marrë peng gjatë

Përtej paralelizmave me 22 marsin, 23 qershori ka dhe domethënien e tij specifike historike sepse:

a)      Në dallim nga 22 marsi kur u mposht thjesht formalisht e shkuara, më 23 qershor u mposht fantazma e saj apo ndryshe mentaliteti që u trashëgua në politikë prej së shkuarës dhe që mbijetoi 20 vjet nën petkun demokrat duke marrë peng vetë fatin e të djathtës në vënd. Gjë që krediton votuesin dhe ilustron emancipimin demokratik për të refuzuar mentalitetin e së vjetrës sado llamburitës shfaqet ai;

b)     23 qershori mbylli ciklin e filluar në dhjetor 1990 duke çkatovicuar formalisht politikën shqiptare që në dy dekada, u mor peng prej syresh të konvertuar, me sforcim apo qëllimisht në demokrat (shpjegon dhe retorikën agresive ndërkohë që demokrat nuk të bën domosdoshmërisht histeria antikomuniste në ekstrem), relikja e fundit e të cilit ruhet si ujë i pakët ende në PD. Më 23 qershor, ndryshe nga 22 marsi 1992 apo 2005, e ashtuquajtura politikë e katovicës dhe protagonistët simbolik të saj u gjëndën së toku dhe njëkohësisht jashtë qeverisjes pas dy dekadash rrokade reciproke dhe kjo, sepse PS e sotme në pushtet është produkt i rinovimit real pas humbjes së 2005, pjesë e së cilës ishte izolimi pakthim i trashëgimisë problematike të së shkuarës së saj. Gjë që nuk ndodhi me PD e 1997 që humbi shansin historik të rinovimit duke e reduktuar rikthimin në pushtet më 2005 thjesht në një kalim stafete të politikës të shumëpërfolur të katovicës të pranishme deri atëhere në të dyja krahët e politikës në vënd. Në këtë kontekst, rinovimi formal në PD pas 23 qershorit duke mos braktisur trashëgiminë katoviciane, lë tharmin e saj nëpërkëmbë dhe sa kohë e djathta mbahet peng prej saj apo vetë PD vuan sindromën e lugës së çorbës së prishur, katovica në politikë ende nuk mund të konsiderohet kapitull i mbyllur dhe normaliteti demokratik nuk mund të merret ende i mirëqënë.

c)       Më 23 qershor u ndërpre një realitet i litarëve përjashta dhe i shpërfilljes së sovranitetit dhe interesit kombëtar – vorioepirizim në revan, kufiri detar, mbjellje varrezash greke, harresë e çështjes çame, vasalitet ekonomik dhe tendera jotransparentë me efekte gjeopolitike negative në rajon, landfill i plehrave të botës etj që, aq sa barrë e madhe janë për qeverinë e re, mund të ishin dhe më keq etj.

 Polistori dhe histolitikë

Metri partiak jo domosdoshmërisht është metër demokratik, pale më historik. Polistoria (politikani megaloman që pretendon se mund të rishkruajë historinë) dhe histolitika (historiani që degradohet në funksion të politikës së ditës) janë atavizma të së shkuarës që bien ndesh me pritshmëritë në demokraci.

Në këtë sens, refreni i arritjeve që citojnë syresh që kuturisen dhe përgojojnë një ambasador të nderuar, mik personal dhe përfaqësues i një vëndi mik për kokë për shqiptarët, tingëllon patetik dhe nuk zhbën dot faktin se ato janë shumë pak, shumë vonë dhe shpesh formale ndaj pritshmërive pas 20 vitesh pluralizëm. Që më shumë se për meritën, hap debat për përgjegjësinë e zvarritjes apo bërjes sa për sy e faqe, deri sabotimin e një sërë reformash në dobi të një shoqërie homogjene në aspiratën properëndimore të saj.

Ndonse jemi në NATO, jemi qeverisur larg standarteve që nënkupton ajo. Gërdeci, 21 janari, batërdia me pronën, intimidimi i votës, zonat e lira të hashashit, krimi që nuk frikë, korrupsioni kapilar dhe elitar etj nuk janë simptoma NATO dhe nëse na ra telebingo për të qënë pjesë e saj, kjo nuk është aspak për meritë të qeverisjes, veçanërisht kur për ironi përkoi me Gërdecin (në këtë rast meritë ndoshta pati opozita që nuk u tundua për ta shfrytëzuar politikisht).

23 qershori nuk është vetëm një shans për të kthyer kokën pas dhe quajtur gjërat me emrin që u takon por dhe për të testuar rilindjen dhe mos marrë më asgjë të mirëqënë. Një shoqëri skeptike në demokraci, i bën një favor vetvetes dhe në finale edhe politikës në evolucionin drejt standart

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›