E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simptoma të një ‘dashurie’ të neveritshme

24-08-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Ithtarët e Enverit po përgjërohen për dashurinë ndaj Amerikës!

Urrejtja e Enver Hoxhës ndaj “imperializmit amerikan” ka qenë një konstante. Ndërsa ndaj „revizionistit“ Krushov , E. Hoxha e bëri zemrën gur dhe i tha derrit dajë në një pritje të pazakontë tërë salltanete, ai nuk i duroi dot “kinezëritë” kur Mao Ce Duni po e zbuste atmosferën e Kinës në marrëdhëniet me Amerikën e kohës së Niksonit. Mëtonte që Mao t’i kërkonte mendimin atij, që iu duk se ishte shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut? Por vendi i Mao Ce Dunit nuk ishte i vogël sa ai i Enverit dhe vetë Dielli Mao e kishte të palëkundur, tashmë, pushtetin vetjak me kultin e individit në zenit dhe me manualet e tij të kuq që mburreshin edhe në Shqipëri, e që s’ia kishte nevojën Stalinit. Aq më tepër kur Shefi i perandorisë së kuqe sovjetike (dhe pasardhësit e tij) ishte edhe në grindje territoriale me kryetarin Mao! Ndërsa Enveri ende nuk e kishte rrasur mirë në kokë aureolën e kultit të individit, dhe nuk luante nga e tija, që ta quante veten, me krenari, si një stalinist. Sa për antishqiptarizmin e Stalinit ndaj Shqipërisë (të cilën Gjeorgjiani e quante si plaçkë tregu), Enveri s’donte t’ia dinte dhe lozte rolin e të pa diturit…
Sa njerëz të pafajshëm janë dënuar, përmes torturash të papërballueshme, si të implikuar në komplote në bashkëpunim me “imperializmin” amerikan! Mjerë ata që kishin qenë nxënës në shkollën amerikane të Kavajës, apo në shkollën teknike të Fulcit, në Tiranë! Koha e gjatë, që është në gjendje të zbardhë të vërtetat, provoi se Fulci ishte një drejtor i përkushtuar, që kishte lënë mbresa për edukimin moral të nxënësve të tij shqiptarë, të cilët duhet të ishin shembullorë në punë, profesionistë të nivelit të lartë, të thjeshtë dhe të ndërgjegjshëm. Askush nga nxënësit e tij nuk e përgojon atë se kishte ardhur në vendin tonë për t’u marrë me spiunllëqe, e jo me detyrën fisnike për të përgatitur breza të tërë profesionistësh të rangut të lartë, për të cilët kishte nevojë Shqipëria e asaj kohe. Enver Hoxha i jepte rëndësi vetes, me ata bunkerë të panumërt - që e shkretuan ekonomikisht vendin, - për t’i bërë ballë edhe “imperializmit” amerikan. Ndërsa ajo superfuqi kishte dhënë prova se, po ta kishte problem Shqipërinë, i paralizonte të gjithë bunkerët e saj brenda disa minutave dhe i bënte të gjitha “forcat mbrojtëse” që të mos kishin asnjë mundësi  që të mund  të nxirrnin dot asnjë ushtar në terren të hapur. Por kur i vjen ngordhja dhisë, - siç është një shprehje,-  ha bukën e çobanit! Dhe janë parë të mbytur që kapen pas flokëve të vet! Beqir Ballukut as që i kish shkuar ndërmend që të bënte komplot kundër Enverit. Në panikun që i kishte kapur ata, në kupolën ushtarake, atyre të Këshillit të Mbrojtjes nuk u mbetej veçse të akuzonin njëri-tjetrin, gjer në akuzën më të gënjeshtërt: se do të vrisnin atë, të Madhin! Arkitekti i këtyre sherreve ishte vetë ai, kreu i Partisë. Këtë kishte bërë edhe Stalini...
Tani, në qeverinë dhe në parlamentin e 9 shtatorit, janë në një aleancë enveristët e deklaruar, me predikuesit e “proamerikanizmit” të zjarrtë. Por a është i pajtueshëm enverizmi me këtë të fundit? Për atë që i mblodhi në një aleancë hibride speciesh të kundërta, - domethënë për kryeministrin e ardhshëm që dikur na paskësh qenë një antienverist i thekur dhe tani na qenka një enverist që mbështolli në aleancën e vet katër parti enveriste, - edhe gjërat e pamundshme mund të pajtohen. Mjafton që t’i shërbejnë etjes së tij vetjake për pushtet.
Në vijim të këtij arsyetimi, mund të vëmë përballë njëri-tjetrës një person në pension dhe një grua në funksion të rëndësishëm pranë BE-së. Ai pensionisti, që tashmë është një privat, Z. Uidhers, nuk rri rehat në pleqërinë e tij, por merr përsipër t’i urojë E. Ramës, gjatë fushatës zgjedhore të 23 qershorit, fitore! Personaliteti i lartë amerikan, McKarti, e zhduku Partinë Komuniste amerikane, bashkë me të gjitha intrigat e saj, që shkonin gjer në përligjje të çiftit Rozemberg që i kishte dhënë sekretet e bombës atomike spiunëve të Stalinit. Në atë kohë të luftës së ftohtë, PK-ja amerikane “sensibilizoi” të gjithë majtistët ekstremistë stalinistë, që të mos ekzekutohej ky çift shkencëtarësh “të pafajshëm”. SHBA-të u treguan të palëkundur. Çifti u ekzekutua dhe dokumentet nuk vonuan të provojnë fajësinë e Rozembergëve bashkë me personat stalinistë rekrutues.
Ndërsa zonja Doris Pak u ofrua, në cilësinë e titullares së BE-së, kundër shfaqjeve nostalgjike të diktaturës së rrëzuar. Kur aleati i Edvinit, Paskali, vendosi foton e madhe të Enver Hoxhës brenda ambienteve të Ministrisë së Jashtme që drejtonte, ish-të përndjekurit politikë, të revoltuar, grumbulloheshin çdo ditë për të protestuar në grumbullime pranë këtij institucioni. Ministri as që donte t’ia dinte. Së fundi, zonja Pak erdhi këtu, u fut në ministri dhe i tha përgjegjësit: - Mjaft, u teprua. Kështu do të vini në Ruropë? Fotoja e madhe u hoq, po kishte mbetur botëkuptimi i pashkulur në ndërgjegjen e ministrit!
Tani, njësoj si në mendësinë e 1998-s që përmendëm, kërkojnë të ngrenë sërish statujën e E. Hoxhës! Në një kuptim imagjinar flet edhe statuja: ‘Sikur të kishte gojë të fliste’! Në këtë kuptim, ata që do ta përshëndesnin me grusht e të përulur, mund të dëgjonin prej njeriut të mermertë: - Ju po më bëni nderime? Sikundër shtireni edhe proamerikanë? Jazëk!
Së paku le t’ia linim këto gjendje të pamundshme, një zonje si ajo e përndjekura, me mbiemrin Alizoti: - Mua ma varën burrin me akuzën se i shërbente imperializmit amerikan. Tani s’po më lënë të shprehem si admiruese e amerikanëve - duke ia dhënë vetes këtë ‘të drejtë’ - ata që ma vranë burrin!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›