Në pritje të një lajmi nga Lulzim Basha
Lulzim Basha mbushi një muaj që kur u emërua kryetar i Partisë Demokratike, tashmë në opozitë, dhe ja ka arritur të na bindë të gjithëve për paragjykimin tonë. Për tridhjetë ditë, ai nuk ka mundur të prodhojë qoftë dhe një lajm të vetëm, nuk ka mundur qoftë dhe të bëjë një intervistë të vetme si kryetar, apo të artikulojë ndonjë ide që mund të na ngelej në mendje, qoftë dhe jo seriozisht. I përfshirë në emocionet e një njeriu që gjithmonë e emërojnë dhe pastaj i kërkojnë ta meritojë atë vend ku e çojnë, ai e ka shtyrë tetë vite duke ndërruar çdo dy vjet zyrën ku punon, për të mos u dukur që është i paaftë. Ndenji dy vjet ministër Transportesh, bëri dosjet sa një mal në ministri pa hedhur një firmë, bëri dhe skandalin e Rrugës së Kombit dhe iku. Shkoi dy vjet ministër i Jashtëm, bëri lëmsh gjithë diplomacinë shqiptare, bllokoi administratën dhe emërimet, në fund i futi dhe një firmë duke shitur detin dhe iku. Shkoi dy vjet ministër i Brendshëm, rriti në përmasa të frikshme nivelin e kriminalitetit, konsolidoi lidhjet e policisë me krimin, ndërtoi një ekip klientelist, që e përdori për fushatë elektorale, në fund vrau dhe katër qytetarë të pafajshëm që demonstronin para zyrës së kryeministrit dhe iku.
Tani ka dy vjet që ka shkuar kryetar bashkie, duke vjedhur mandatin dhe përveç atyre luleve të varura në saksi në Bulevard, që i ngjethin mishin nga emocionet Artur Zhejit, Tiranën e ka zhytur në kaos. Në çdo tre pallate, njëri ka një shtesë një kat pa leje, por nën lejen e drejtorit të tij bazhibuzuk të Policisë Ndërtimore, që vjel taksa për ti lejuar dhe tani prish ata që skanë paguar. Tirana është kthyer në një kaniter të paligjshëm ndërtimi dhe qyetarët po përjetojnë një stres kolektiv nga dhunimi që u bëhet nga banditët e lidhur me bashkinë që ndërtojnë pa leje. Aty ku unë kam zyrën, aty ku kam shtëpinë, aty ku kam pasur zyrën, kudo që lëvizur, ka një kat pa leje që ndërtohet dhe legjenda urbane, që të gjithë kanë paguar ndërtimorin e Bashës. Në Tiranë nuk është bërë asnjë investim publik serioz dhe të vetmet biznese që lulëzojnë janë bizneset e Kunatit. Ai mbledh plehrat, ai komandon karotrecat, ai bën PR-në e Bashkisë dhe eventet e saj, me kompanitë e tij dhe ortakut të tij. Plani Rregullues i Tiranës që u kthye në një plastelinë për të kënaqur interesat e Berishës dhe Bashës, deri tani ka shërbyer për ti dhënë një leje Delijorgjit dhe për të filluar dy qendra biznesi në krah të xhamisë që do të ndërtohet. Vet xhamia është një nga ndërtesat më të shëmtuara që do ti shtohet kryeqyetit, një fotokopje e xhamive të shëmtuara të botës arabe, vetëm pse djalit të kryeministrit i pëlqen vehabizimi.
Pra, ky karkalec që kërcen çdo dy vjet në një karrige, për të mos u dukur që është i paaftë, tashmë ka kërcyer në karrigen e tij të fundit, atë të kryetarit të Partisë Demokratike. Ka një muaj dhe nuk ka prodhuar asnjë lajm. Tutori i tij, Sali Berisha, e ka lënë siç pritej tërësisht në hije dhe sot ne nuk kemi më asnjë përgjigje nga kryetari i Partisë Demokratike për gjithë çështjet që kanë dalë gjatë këtij muaji.
Nuk kemi një përgjigje për shembull ndaj programit të qeverisë, nuk kemi një përgjigje ndaj përbërjes së saj, nuk kemi një përgjigje ndaj fushatës paralajmëruese të Ramës për prishjet në bregdet, nuk kemi një përgjigje ndaj premtimit të rishikimit të ndertesave me leje që prishin kondicionet urbane apo ndërtimet mbi det, siç është vet pallati i Lulzim Bashës në Vlorë, nuk kemi një përgjigje përse krerët më të lartë të Partisë Demokratike sulmojnë ambasadorin e SHBA, nuk kemi një përgjigje për çështjen e Kishës së Përmetit…nuk kemi një përgjigje pë krizën e refugjatëve tanë që kalojnë në Greqi e kështu me radhë. Për të gjitha këto shqiptarët e dijnë çfarë mendon Sali Berisha, por nuk dijnë çfarë mendon dhe si i përjeton këto ai që është emëruar kryetar i Partisë Demokratike.
Lulzim Basha ia ka dalë të mos prodhojë asnjë lajm në jetën e tij si kryetar i PD. Edhe Jozefina, Mesila, Majlinda, Erla, dhe plot gra të tjera të PD, kanë prodhuar lajme këtë muaj, përveç Lulzimit.
Çfarë e pengon kryetarin e ri të prodhojë një lajm si kryetar?
Ata që i rrijnë afër thonë se është i frustruar nga ideja se e zhurmon Berisha. Ata që e shikojnë nga larg thjesht si kryetar, nuk u duket seriozisht kryetar. Ata që presin ta kenë kryetar dhe janë pjesë e opozitës së re në bazë, as kanë idenë si do tia dalin me këtë kryetar në opozitë. Vetëm Lulzim Basha e di sekretin përse nuk prodhon dot lajm. Ditën e parë që do të flasë, atë nuk e merr askush seriozisht si kundërshtar të Ramës, por e shikojnë vetëm në raport me Berishën. Atë nuk e shikojnë çfarë tha për Ramën dhe si e tha, por a e tha si Berisha apo ndryshe. Kjo është një dramë e madhe e tij, pasi do ti duhet një herë të mund Berishën, pastaj Ramën. Do ti duhet një herë të paguajë taksën e emërimit dhe të bindë publikun që është kryetar dhe pastaj ta shikojnë si kundërshtar të Ramës. Deri tani makthi i tij është se e shikojnë vetëm nëse është ende luajal i Berishës apo po i ikën nga duart. Ngado që të dridhet e sido që të bëjë, lajmi i tij I parë do të jetë raporti i tij me Berishën. S kundërshtar të Ramës nuk e merr askush seriozisht.
Ndaj dhe ai pranon më mirë të heshtë, se sa të prodhojë lajmin e parë, që mund të jetë dhe i fundit. Të paktën të presë edhe dy vjet kështu, deri në zgjedhjet lokale, kur të prodhojë lajmin e humbjes së madhe dhe të fillojë debati nëse duhet të iki nga kryetar, apo të rrijë ende për humbjen e radhës. I dënuar të shikohet si një i emëruar, ai po përjeton torturën e mosmarrjes seriozisht si kryetar opozite, por vetëm si kandiat për tradhtar apo luajal i Berishës
