E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e pisët e Ramës për të krijuar një skenar konflikti fetar për të bllokuar integrimin europian në Dhjetor

24-08-2013 / Nga Avokat Altin Goxhaj

Ja 13 faktet publike që vërtetojnë skenarin e Ramës

Një skenar i pisët politik po luhet në dëm të integrimit të Shqipërisë në Europë në Dhjetor 2013.
Një lojë e pistë ku përfshihen shumë aktorë. Siç pohova 10 ditë më parë, Shqipëria i ka të gjitha shanset të marrë statusin në Dhjetor por qeveria e Rilindjes nuk është e interesuar sepse status do të thotë kufizime në fushatën e pushimeve masive partiake nga puna, limitim të reformës të rrëzimit të stukturave publike dhe shkatërrimit të burimeve njerëzore të asistuara nga dhjetra miliona euro të BEsë, do të thotë mospërqëndrim të të gjithë pushteteve të sigurisë dhe hetimit në një zyrë të vetme në koridorin e zyrës së Kryeministrit të ardhshëm, do të thotë ndalim të shkatërrimit të strukturave të shtetit, por mbi të gjitha standard i respektimit të ligjit dhe jo i interesave të bizneseve të deputetëve socialistë… por mbi të gjitha, është një fakt publik që merita e marrjes së statusit do të ishte më së shumti e Kryeministrit aktual: të zotit Berisha.
Edi Rama dhe qeveria e tij nuk është e interesuar. Por mos marrja e statusit në Dhjetor mund të konsiderohet edhe si dështimi i parë publik i Rilindjes. Dhe për të zgjidhur këtë kleçkë po eksperimentohet prej javësh me fate hallexhinjsh romë apo konflikte palësh shtet – komunitete fetare. Asnjë mjet nuk lihet pa shfrytëzuar dhe nuk është çudi që pas një jave të prodhohet ndonjë skandal diskriminimi të komunitetit LGBT! Kjo lojë e pisët që do ti rëndojë dhe më shqiptarët ishte loja që dështoi me Romët dhe sot loja e re me Kishën Ortodokse! Gjithkush i ka parë pamjet absurde të priftërinjve me veladon që përleshen me policë privatë të dhunshëm, të përdhosjes së simboleve fetare me pamje shokuese si për nga etika dhe nga shëmtia e skenave turpëruese për një vend që në 23 vjet ka dhënë shembuj botëror të tolerancës fetare dhe respektit ndërfetar dhe të shtetit ndaj fesë! Pamje unike te papara dhe të paimagjinueshme të denja për filma regjizorësh komunist të socrealizmit hoxhist u transmetuan me foto dhe video në media ndërkombëtare dhe tani do të shfaqen zyrtarisht edhe në sallat e Parlamentit Europian dhe të Këshillit Europian. Një turp i vërtetë që në fakt do të fëlliqë në mënyrë të pamerituar emrin e mrekullueshëm të tolerancës fetare dhe të ekuilibrave të shkëlqyer të shtetit laik shqiptar me komunitetet fetare, rast i veçnatë kudo në botë! Dhe ky film i neveritshëm kishte skenarist veç një emër Edi Ramën, Kryeministrin në ardhje! Dhe regjizori këtë herë ishte Kryebashkiaku i Përmetit i cili prodhoi një film antishqiptar dhe krejtësisht fiction krejtësisht për llogari të politikës greke dhe antishqiptare të Tiranës! Dhe për këtë producent të distribucionit ishin politikanë të Athinës në Parlamentin grek dhe atë europian! Dhe vetë regjizori kryebashkiak i Përmetit ishte dhe aktori në hije thjesht për funksione narrative i cili me alibinë e të qënit në Itali gjoja nuk priste dot të vinte në pushtet Kryeministri i tij socialist dhe shmangu policinë e shtetit dhe në mënyrë absurde i kërkoi ndihmë një policie private me policë aktorë të instruktuar për spektakël dhune! Aktorët në pantonimë ishin priftërinj me veladonë dhe besimtarë – figurantë të sjellë me autobuzë nga qytete të tjera dhe policë privatë! Një skenar i pisët dhe i shëmtuar ku përdhosej një vend i shenjtë dhe simbole fetare në bashkëpunim të shkëlqyer midis aktorëve, skenaristit, regjisorit dhe producentëve të distribucionit! Një lojë për të fëlliqur imazhin e Shqipërisë në pikën e saj të vetme që na e ndrin faqen kudo në botë sado pis na e bën politika. Një lojë për të shpikur dhunë të shtetit, përplasje dhe përçarje fetare, gjë që veç me Përmetin e tolerancës dhe me gjithë Shqipërinë s’ka lidhje as në histori dhe as në territor.
Kush janë faktet e këtij skenari?
Nuk janë fakte sekrete! Asnjë! Janë fakte të njohura botërisht që media për arsye të qëllimta apo trullosje vape i mbajti të padukshme lidhjen shkak pasojë!
Fakti 1: Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet është një ndër beniaminët e Ramës, një nga njerëzit e tij të besuar dhe gjithkush nga Përmeti e di këtë fakt! Mjafton që Ju që jeni në Tiranë, të kontaktoni kolumnistin e Gazetës TEMA, Bledar Manen, ish-punonjës deri para pak ditësh i kësaj Bashkie, dhe ua shpjegon ai për raportin Rama – Jaçe!
Fakti 2: Priftërinjtë Ortodoks të Përmetit e kanë bërë publike që ia paskëshin bërë me dije Kryetarit Socialist të Bashkisë Përmet që ata nuk do të pranonin as me dhunë të largoheshin nga kisha dhe do ta mbronin atë deri në fund. Dhe Hirësia e tij Janullatos kishte dijeni të plotë për qëndrimin e priftërinjve të tij, pavarësisht se ende nuk është e qartë se kush ia bën me dijeni tjetrit paraprakisht.
Fakti 3: Kryetari Socialist i Përmetit Gilbert Jaçe nuk kërkoi policinë e shtetit dhe gjithkush e di që në asnjë rast policia e shtetit nuk do të përplasej në asnjë rast dhe për asnjë rast me dhunë me priftërinjtë e Përmetit! Dhe për këtë Edi Rama kishte dijeni të plotë sepse me kohë një nga njerëzit me akses të plotë te zyra e marëdhënieve publike të PS, Bledi Mane kishte dhënë dorëheqje publike nga sektori i kulturës në Bashkinë Përmet që ende sjanë të qarta por duket se nuk donte të ishte pjesë e kësaj ngjarjeje.
Fakti 4: Kryetari Socialist i Përmetit Gilbert Jaçe kontraktoi një polici private për të liruar një objekt me dhunë dhe u kujdes personalisht që vendosmëria e policisë private të përzinte me forcë njerëzit e Zotit dhe të përdhosnin objektet e shenjta nga kisha e Zotit dhe ai publikisht i ka falenderuar policët! Një polic privat dhe një administrator i një policie private nuk kanë aspak problem të dhunojnë një prift duke e trajtuar si një qytetar që po pengon zbatimin e një vendimi gjykate, ndërsa një polic i shtetit dhe drejtuesit e tij as do guxonin të dhunonin një prift dhe as simbolet e shenjta për më tepër duke qenë efektiv të të njëjtit rajon edhe si pasojë e presionit publik dhe komunitar.
Fakti 5: Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër në 2001-in, Apeli në 2002-in dhe Gjykata e Lartë në 2003-in, me vendim të formës së prerë kishin vendosur në kohën e qeverisjes socialiste që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” të mbetej i tillë, duke mospranuar kërkesën e Kishës Ortodokse të qytetit të Përmetit. Po ashtu në 2004-ën, Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimet e tri shkallëve të gjyqësorit, duke i cilësuar ato si të rregullta dhe konform Kushtetutës. Pikërisht pas 9 vjetësh u kujtua Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet pikërisht në një moment tranzicioni pushteti (sikur po shfrytëzonte rastin për të bërë ndonjë ndërtim pa leje), pikërisht kur dihet sensibiliteti idiot por kronik i një shteti fqinj por aspak miqësor ndaj Shqipërisë i cili do ta përdorte për të prodhuar një konflikt!
Fakti 6: Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet Gilbert Jaçe kujtohet pas 9 vjetësh për të marrë objektin, pikërisht këtë muaj, i njëjti person që ankohet për fonde prej disa vitesh në vetë forumet socialiste që të marrë një godinë që do dhjetëra miliona lekë investime për tu përshtatur për Pallat Kulture në një kohë kur askush s’ka kohë të merret me kulturën në Gusht në Përmet, dhe as Bashkia fonde, dhe duke e ditur shumë mirë se çfarë skandali do të prodhonte dhuna e policëve të tij privatë ndaj priftërinjve me veladonë? A mund ti mbahej e fshehtë Edi Ramës një vendim i tillë vetëm disa ditë pas takimit të Edi Ramës me përfaqësuesit më të lartë grekë? Dhe Rama nuk është distancuar asnjë ditë nga Kryetari i tij lokal.
Fakti 7: A kishte ndonjë shqiptar që nuk e di që një prift i Përmetit që varet nga hierarkia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk do të vepronte pa miratimin e Kryepeshkopit të Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë hirësisë së tij Anastas Janullatos, çka dihet publikisht që për çdo pakënaqësi siç është bërë rutinë prej 21 vjetësh do të reagonte edhe shtypi grek dhe klasa politike greke?
Fakti 8: A pati në Shqipëri ndonjë ndonjë habi përveç revoltimit publik për reagimin e shtetit dhe politikës greke? Jo sepse dihet absurdi i shtetit grek dhe politikës greke që marrin role dhe qëndrime ndaj problemeve me kishën ortodokse a thua se Kisha Shqiptare Ortodokse nuk është Autoqefale?!. Po Edi Rama dhe Gilbert Jaçe nuk e dinin?! Si kishte mundësi, që dikush i paska gjuajtur me gurë konsullatës greke në Gjirokastër kur dihet se i vetmi person i revoltuar me ndjenja kundër Greqisë nga përplasja e priftërinjve dhe besimtarëve të transportuar me autobuzë do të ishte ose klarinetisti apo mësuesi i vizatimit të qytetit që po priste të përdorte Pallatin e Kulturës së Përmetit! Dhe a mundet që njëri nga këta të dy të shkonte ti gjuante me gurë Konsullatës greke?
Fakti 9: A e dinte Edi Rama dhe Gilbert Jaçe që politika greke do ta përdorte imazhin e dhunës ndaj priftërinjve të shkaktuar dhe përdhosjen e simboleve të shenjta nga policë privatë të urdhëruar nga pushteti lokal për të kërkuar bllokimin e statusit të integrimit europian në vendimmarrjen paraprake të mesit të Tetorit dhe finale të Dhjetorit në institucionet e BE-së? Nëse e dinin, pse e lanë që të bëhej?
Fakti 10: Nëse Edi Rama është i interesuar për statusin e integrimit europian të Shqipërisë, i cili është kaq i angazhuar me problemet e Shqipërisë duke mbledh informalisht në kundërshtim me Kushtetuën edhe Kabinetin e propozuar Qeveritar, përse e lejoi kryetarin e tij lokal që të prodhonte konfliktin artificial me Kishën dhe Greqinë pikërisht në momentin që Shqipërisë i duhet më shumë se kurrë vota pro e çdo vendi anëtar të BE-së?
Fakti 11: Nëse vendimi paraprak (që siç dihet është totalisht përcaktues teknikisht) për statusin e Shqipërisë merret në institucionet e BE-së në mes të Tetorit veç 30 ditë pas mbarimit të mandatit të Qeverisë Berisha, a nuk është e qartë merita e padiskutueshme e vetë qeverisjes Berisha për këtë arritje?
Fakti 12: Shkarkimi i atyre që ishin dhe punësimi i socialistëve nëpërmjet teknikës së ristrukturimit të administratës publike, vendosja e zyrës së Byrosë që do hetojë dhe përgjojë gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët pranë zyrës së Kryeministrit të 9 Shtatorit, marrja nën kontroll e të gjithë pushteteve bashkë me konfliktin me të gjithë institucionet të mbetura pa kapur, pa dyshim që do të vështirësohen tej mase pas vendimit paraprak të Tetorit deri ne Dhjetor 2013 pasi çdo vendimmarrja negative e Dhjetorit në BE në kundërshtim me vendimmarrjen pozitive të Tetorit do të ishte kosto e drejtpërdrejtë dhe dështimi i parë spektakolar për Qeverinë e Edi Ramës.
Fakti 13: Hirësia e tij Z. Janullatos, fakti që nuk i kërkoi në asnjë rast Edi Ramës (që është shefi fuqiplotë i Kryetarit të Bashkisë së Përmetit) me të njëjtën logjikë informale që nuk njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ti kërkonte Gilbert Jaçes që të mos dhunonte kishën dhe priftërinjtë e tij si dhe fakti që ai është një klerik i lartë me erudicion të jashtëzakonshëm jo vetëm në fe por edhe në politikë, që e njeh mirë pushtetin e klasës politike shqiptare, tregon se ka qenë koshient për skenarin e Edi Ramës në këtë teatër absurd, dhe mbi të gjitha ka mbajtur një qëndrim nxitës të kërkesës për bllokim të statusit të Shqipërisë pikërisht se kështu i intereson vetë Edi Ramës!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›