E Diel, 1 Nëntor 2026

Gushti nuk ‘tradhton’ pushimet verore, 40 gradë dhe gjatë javës

TIRANË-Vijoni pushimet ta qetë sepse as muaji gusht dhe as vapa nuk do ju tradhëtojnë asnjë prej ditëve.
Sic bën të ditur parashikimi i motit në BalkanWeb i nxehti afrikan do te vijojë të mbaje të mbërthyer vendin dhe për shumë javë.

Kështu nga parashikimi i motit në agjencinë e lajmeve online, mësohet se temperaturat e ajrit shënuan vlera të larta në kete fundjavë, ndërkohë që ditën e dielë temperatura arriri 40 gradë celcius.

Edhe pse parashikohet nje javë mjaft e favorshme për të gjithë pushuesit në bregdet, mjekët apelojnë për kujdes, sidomos me shmangien e daljeve në orët e pikut.

Sipas parashikimit temperaturat e larta të ajrit do të luhaten ndërmjet vlerave 31 gradë në Korçë dhe 38 gradë në Tiranë, Lezhë, Berat dhe Gjirokastër.

Erërat do të jenë të dobëta, temperatura më e freskët do të jetë 22 gradë Celsius dhe kjo në mesnatë, kurse vapës nuk i shpëtojnë as zona të freskëta si Pogradeci, Kukësi e Puka ku temperaturat do të jenë afërsisht 35 gradë celsius

ISHP KESHILLA NE KETO DITE TE NXEHTA
Në këto ditë me temperatura shumë të larta, Instituti i Shëndetit Publik, i drejtohet popullatës me disa këshilla mbi masat që duhet të marrin për të mbrojtur shëndetin e tyre nga i nxehti.

1. Evitoni daljet në orët e nxehta (nga ora 11°°-17°°). Nëse punoni apo duhet të dilni patjetër në diell, përdorni kapele të çelëta, syze dielli dhe kremra me faktorë mbrojtës. Përdorini rreth 15-20 minuta para ekspozimit, duke u rilyer çdo 2 orë.

2. Përdorni gjithnjë veshje të lehta, pambuku dhe të gjëra, që të lejoni thithjen e djersës dhe “frymëmarrjen” e lëkurës.

3. Mbani sa më të freskët temperaturën e trupit duke freskuar sa më shpesh fytyrën dhe krahët, apo duke bërë dushe me ujë të vakët, sapo të mundeni. Në pamundësi, mbani mbi kokë një peshqir të lagur, sidomos në orët më të nxehta.

4. Mbani freskët ambjentin ku jetoni apo punoni. Për këtë:
- mbani mbyllur dritaret në orët e nxehta dhe mbulojini ato me perde ose grila,
- hapini dritaret vetëm gjatë orëve të freskëta (nga mbrëmja deri në mëngjes),
- freskoni herë pas here me ujë dyshemenë, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje,
- kujdes me përdorimin e kondicionerëve: mos i gradoni më pak se 25-27 gradë,
- kujdes kur ndryshoni temperaturën e ambjentit; mbuloni shpatullat dhe qafën kur hyni në një ambjent më të ftohtë.

5. Ushqehuni shëndetshëm dhe pini sa më shumë ujë dhe lëngje:
- hani rregullisht dhe me orar, përdorni kryesisht ushqime të lehta, të freskëta, jo shumë të përpunuara dhe me pak yndyrna, si: sallatrat, perimet dhe frutat (sa më të larmishme në lloje dhe ngjyra), por edhe kos, pulë, peshk, etj.
- pakësoni sasinë e kripës dhe ëmbëlsirave. Evitoni pijet alkoolike dhe të skuqurat.
- pini të paktën 2 litra ujë në ditë, por disa persona mund të kenë nevojë të pinë më shumë, edhe kur nuk kanë etje, sidomos të moshuarit dhe në disa situata shëndetësore të caktuara. Mos përdorni pije shumë të ftohta dhe të gazuara.
- Mos konsumoni ushqime që janë gatuar prej më shumë se 2 orësh dhe lihen në temperatura ambjenti dhe të pa mbrojtura, si ushqimet që tregëtohen nga shitësit ambulantë në plazhe, fast-foode, akulloret ambulante, etj

6. Pakësoni sforcimet fizike dhe sportet në orët e nxehta.

7. Nëse udhëtoni me makinë: fillimisht hapni dyert dhe dritaret dhe prisni që të freskohet për disa minuta para se të hipni. Gjatë udhëtimit mbani hapur dritaret ose përdorni klimatizatorin. Kujdes i veçantë duhet për foshnjat e vogla dhe të moshuarit: mos i lini t’ju presin apo të flenë gjumë në makinë, në diell.

8. Mbikqyrni dhe kujdesuni për personat më në risk: foshnjat 0-6 muajsh, të moshuarit, të vetmuarit, etj duke mos i ekspozuar në diell në orët e nxehta dhe duke i ndihmuar me kujdesin e përditshëm, medikamentet, pazaret, etj...

9. Nëse vuani nga një sëmundje kronike, këshillohuni me mjekun:
- për çdo ankesë, sado e vogël qoftë,
- për të përshtatur terapinë apo ndjekjen (kontrollet e nivelit të glicemisë tek diabetikët), pasi disa sëmundje ndikohen nga i nxehti, si hipertensioni, etj. Mos e ndryshoni vetë terapinë!
- Mos harroni se disa medikamente nuk duhet të rrinë nën rrezet e diellit dhe në të nxehtë, ndaj lexoni etiketën ose këshillohuni me mjekun.

10. Nëse pushoni në zonat malore: mos harroni se rrezatimi diellor është shumë intensiv edhe në male, ndaj duhet të përdorni njësoj masa mbrojtëse ndaj diellit. Kujdes edhe nga insektet dhe gjarpërinjtë, dhe merrni gjithnjë me vete medikamente sipas këshillës së mjekut.

(d.b/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Parashikimi i motit per javen ne vijim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›