Gustavi pengon Mekejnin

Uragani Gustav e detyroi kandidatin republikan për president Xhon Mekejn që të reduktojë programin e kuvendit të partisë së tij që po mbahet në St. Pol të Minesotës.
Zyrtarët republikanë thonë se programi do të kufizohet vetëm tek takimet zyrtare. Senatori Mekejn tha se nuk mund të mbaheshin festime ndërsa amerikanët përballen me rrezikun e stuhisë.
Presidenti Bush anulloi fjalimin e tij në kuvend ndërsa bashkëshortja e zotit Mekejn, Sindi dhe zonja e Parë Laura Bush folën për masat që po merren për uraganin dhe kërkuan ndihmë dhe kontribute financiare.
Zoti Mekejn dhe kandidatja për nënpresidente e zgjedhur prej tij, guvernatorja e Alaskës Sara Palin u takuan me organizatorët e ndihmave të emergjencës në shtetet e bregedetit të gjirit të dielën, ndërsa mijëra delegatë republikanë nga i gjithë vendi u mblodhën në Minesota.
Uragani Gustav ndërkohë po zbutet, megjithatë vazhdon të godasë zona të pjesës jugore të shtetit Luiziana me erëra me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.
Uragani goditi të hënën tokën amerikane me shpejtësi 110 kilometra në orë në jug-perëndimit të qytetit Nju Orlins. Në momentin që goditi tokën ishte stuhi e kategorisë së dytë, me erëra me shpejtësi 175 kilometra në orë, por më pas u zbut duke u cilësuar si uragan i kategorisë së parë. Meteorologët thonë se Uragani Gustav mund të cilësohet si një stuhi tropikale nga dita e martë ndërkohë që përshkon Luizianën qendrore dhe drejtohet nga pjesa lindore e Teksasit. Zyrtarët njoftojnë ndërprerje në masë të rrymës elektrike dhe përmbytje lokale në disa zona. Ndërkaq, autoritetet në Nju Orlins kanë shprehur bindjen se sistemi i pritave do t'i qëndrojë stuhisë.
Ndërkaq në komunën Plakemin në jug të qytetit Nju Orlins, zyrtarët thonë se ujërat e rrëmbyera dhe erërat e forta ka rrezik të shkaktojnë një përmbytje që do t'i kapërcejë pritat që mbrojnë zonat e banuara. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të largohen sa më parë.