E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryqe nazizmi në Burrel

BURREL - Askush nuk të jep një përgjigje të qartë në lidhje me kryqet e thyera të nazizmit që janë vendosur ditët e fundit në klasat e shkollës së mesme “Pjetër Budi” në Burrel. As mësuesit dhe as nxënësit nuk pranojnë të thonë se cilët janë autorët e mbushjes së mureve me kryqet fashistë, që natyrisht përveç vizatimit, paraqesin edhe ide të fshehta, të qëllimta, apo jo. Mësohet se autorët e këtij dizajnimi të pazakontë kanë përdorur bojëra të ndryshme për të pikturuar në muret e klasave të “Pjetër Budit” kryqe të mëdha, svastika. Burime të rezervuara sqarojnë se policia dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Matit janë informuar rreth këtij fakti dhe po hetojnë për të gjetur arsyet e këtij veprimi. “Ne po hetojmë nëse janë adoleshentë që nuk kuptojnë çfarë po bëjnë, apo kemi të bëjmë me shprehje të simpatisë së gjimnazistëve të këtij qyteti për nazizmin”, thonë burime të rezervuara të policisë lokale. Ajo që ende nuk kuptohet, është fakti sesi personat që kanë vendosur kryqet, kanë mundur të hyjnë në mjediset e brendshme të shkollës, që normalisht ruhet me roje. Me fare pak dallime, i njëjti fenomen u vërejt pak kohë më parë në qytetin e Elbasanit, ku persona të paidentifikuar shpërndanë nëpër qytet fashikuj që u bënin reklamë ideve të një të ashtuquajture Partia Naziste Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›