Edi Rama reagon ndaj reklamës së kryeministrit dhe gjobës ndaj News 24
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama iu bashkua sot kritikave ndaj gjobës që i është vënë një stacioni televiziv për transmetimin e një reklame që ironizonte qeverinë. Kryetari Socialist i bëri thirrje Kryeministrit Berisha, siç u shpreh ai, që të mos e provokojë më tej opozitën duke përdorur paratë e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike.
Reagimi i zotit Rama erdhi pasi prej disa ditësh në disa televizione po transmetohet një reklamë e kryeministrit mbi luftën e qeverisë ndaj korrupsionit dhe pas gjobitjes së Televizionit NEWS 24 nga ana e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve pasi transmetoi një spot të grupimit G99 që ironizonte publicitetin qeveritar.
Sipas Këshillit, spoti i G99 është
një reklamë politike dhe si e tillë nuk mund të lejohet. Zoti Rama deklaroi se
kryeministri duhet të heqë dorë nga presioni mbi ato media që transmetuan një spot
kritik të një organizate shoqërore jofitimprurëse ndaj qeverisë. Përfaqësues të
shumtë të opozitës dhe të organizatave
të të drejtave të njeriut e kanë vlerësuar vendimin e KKRT si një formë trysnie
politike, që qeveria synon të realizojë ndaj mediave kritike.
Rreth kësaj çështjeje ka ndërhyrë edhe ambasada amerikane në Tiranë. Zëdhënësi i saj Biks Aliu pasi është takuar me drejtuesen e KKRT është shprehur se ''ka ritheksuar besimin e fortë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara se liria e shprehjes është një prej të drejtave më themelore që gëzojnë individët. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara i marrin shumë seriozisht pretendimet se kjo e drejtë mund të kompromentohet.
//rd//