‘Mulliqi’ më ndryshe

Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli, bëri një prezantim të shkurtër të risive në edicionin e 9’të të ‘Çmimit Muslim Mulliqi’. Ai sqaroi se, sivjet do të prezantohen 29 artistë ndërkombëtarë e kosovarë, duke vënë kështu skenën kosovare të artit në një kontekst global, gjë që do të ndihmojë zhvillimin e mëtutjeshëm të saj.
Sipas Shkolollit, sivjet ekspozita do të përfshijë edhe hapësira tjera ekspozuese, si Galerinë e Ministrisë së Kulturës - Qafa, Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës dhe ish-ndërtesën e administratës së EXIMKOS – që ndodhet tek sheshi Zahir Pajaziti. Gjithashtu, sivjet do të ketë edhe intervenime artistike në disa hapësira publike në Prishtinë, siç janë: pjesa përreth Bibliotekës Kombëtare, pjesa para ASHAK, ndërkohë që artisti kosovar, Albert Heta, do të intervenojë në sheshin Adem Jashari.
Nga ana tjetër, pjesë e jurisë profesionale të edicionit të sivjetmë të ekspozitës do të jenë drejtoresha e Muzeut të Artit Modern në Lubjanë, Zdenka Badovinac, artisti kosovar, Sokol Beqiri, dhe drejtori i Programit Hulumtues në Galerinë me famë botërore SALT, në Stamboll, Vasif Kortun.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe kuratorët e ekspozitës, Charles Esche, drejtor i Muzeut Van Abbe (Holandë), dhe Galit Eliat, kuratore dhe hulumtuese në të njëjtin muze.
Eliat deklaroi se për të përvoja e punës së artistëve të rinj kosovarë është mahnitëse, duke marrë parasysh entuziazmin dhe vullnetin e madh të tyre. Ajo gjithashtu sqaroi se, i vjen mirë që patën mundësi të sjelljes së artistëve të huaj për pjesëmarrje në ekspozitë, gjë që e ndihmon skenën artistike kosovare për të qenë “lojtar” në skenën e artit bashkëkohor në botë. Kolegu i saj, Charles Esche, ndërkaq deklaroi se ekspozita e sivjetme s’do të jetë vetëm një prezantim i punës së artistëve, por edhe produkt i vetë punës artistike të tyre.
Ndryshe, ceremonia e hapjes së ‘Çmimit Muslim Mulliqi’ bëhet të mërkurën, në orën 19, në GAK. Pas hapjes, me fillim nga ora 20, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës shfaqet premiera e filmit ‘1935 Days Without Red’, i artistes Sejla Kameric, në bashkëpunim me Anri Sala dhe Ari Benjamin Meyers.
Të gjitha hapësirat ekspozuese do të jenë të hapura për publikun një ditë më vonë, nga ora 17.
Fituesit të Çmimit do t’i ndahet shpërblimi prej 3,000 eurosh.
‘Çmimi Muslim Mulliqi’ është ekspozita më e madhe e GAK, dhe çmimi më i lartë për artin pamor në Kosovë.