E Diel, 1 Nëntor 2026

Gyl-Berisha: Shqipëria, arritje të jashtëzakonshme



Presidenti turk, Abdulla Gyl, përgëzon Kryeministrin Sali Berisha për ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe për sukseset e mëdha që qeveria shqiptare ka arritur në rrugën e reformave të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. Kryeministri Berisha priti dje Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Abdulla Gyl, dhe delegacionin që e shoqëronte, të përbërë nga ministra të kabinetit të tij qeveritar, një grup deputetësh etj., i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Z. Berisha e vlerësoi vizitën e Presidentit Gyl si një vizitë shumë të rëndësishme, e cila rikonfirmoi edhe një herë marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve, qeverive dhe popujve, por edhe do të japë një kontribut të madh përpara në këto marrëdhënie. Gjithashtu, Kryeministri tha se kjo vizitë është edhe një ngjarje e shënuar për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit të ngushtë e të suksesshëm, në të gjitha fushat midis dy vendeve. Presidenti Gyl shfrytëzoi rastin për t’i pohuar Kryeministrit Berisha: “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe kontributi që ju dhe qeveria juaj dhatë në këtë drejtim, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i vlerësuar. Gjithashtu, gjej rastin t’ju përgëzoj për hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka hedhur, nën udhëheqjen tuaj, në rrugën e anëtarësimit në BE gjatë muajve të fundit”, - u shpreh Presidenti Gyl. “Turqia do të vijojë të jetë një aleate e ngushtë e Shqipërisë, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të mbështesë atë, si në përpjekjet e saj për integrim në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në të gjitha përpjekjet për zhvillim e progres në fusha të tjera”, - siguroi Presidenti turk Gyl. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për vendosmërinë e të dyja vendeve për t’i zgjeruar dhe thelluar ato më tej në të gjitha fushat, në veçanti për sa u përket shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të investimeve turke në Shqipëri. Në këtë kontekst, u vlerësua fakti që gjatë 4 viteve të fundit, investimet turke kanë njohur një rritje drastike, nga 150 milionë dollarë në vitin 2005, në 860 milionë dollarë në katër vitet e fundit. Të dy personalitetet vlerësuan ecurinë e suksesshme të kompanive prestigjioze turke në investimet e tyre në Shqipëri, në shumë fusha, si dhe shprehën gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e energjisë, turizmit, policisë dhe ruajtjes së rendit, industrisë, metalurgjisë etj. Në takim u vlerësua efekti pozitiv që ka sjellë zbatimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes dy vendeve. Presidenti Gyl i bëri me dije Kryeministrit Berisha se gjatë vizitës së tij në Tiranë, delegacioni i tij përmban edhe një numër shumë të madh investitorësh e biznesmenësh turq, të cilët kanë vlerësuar lart ndryshimet e jashtëzakonshme që po ndodhin në Shqipëri dhe reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka marrë për krijimin e klimës më të favorshme për thithjen e investimeve të huaja. “Gjatë kontakteve që kam pasur me kompanitë turke që operojnë në Shqipëri, - u shpreh Presidenti Gyl, - më është bërë me dije se investimet e tyre janë përkrahur maksimalisht nga autoritetet shqiptare dhe se investitorët turq ndihen në Shqipëri si në vendin e tyre”. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit mes dy personaliteteve, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe si dhe për zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat. “Shqipëria dhe Turqia janë më shumë se dy partnerë strategjikë”. Këtë vlerësim ndanë në takimin mes tyre kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjetur gjithmonë tek shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›